Peticioni për bashkimin e Mitrovicës i dorëzohet presidentit Thaçi

Kreu i Mitrovicës, Agim Bahtiri i ka dorëzuar sot presidentit të shtetit, Hashim Thaçit peticionin për bashkimin e Mitrovicës, që është nënshkruar nga 16 mijë e 594 qytetarë.

Pas dorëzimit të peticionit, Bahtiri para gazetarëve ka kërkuar nga presidenti që të marrë një vendim të shpejtë lidhur me këtë.

Ai është shprehur i zhgënjyer që ende në Kuvend nuk po diskutohet lidhur me këtë peticion.

“Qyteti i Mitrovicës është ndarë padrejtësisht, pa dëshirën e qytetarëve të saj dhe po vuajnë qytetarët e saj duke e ditur që janë 15 mijë banorë të shpërngulur nga pjesa e veriut dhe janë refugjatë në qytetin e vet me pamundësi që t’i kthejnë prej institucionet të cilat i kanë krijuar vet organet dhe ne kërkojmë që pushteti lokal i cili ka qenë për ndarje t’i kthehet  njëherë statusi i mëparshëm i Mitrovicës për arsye se tani pjesën e veriut e udhëheqin strukturat paralele…dhe ne  kërkojmë nga Kuvendi i Kosovës që sa ma parë të procedoje në Kuvend.”, ka deklaruar Bahtiri.

Po ashtu Bahtiri ndër tjerash ka thënë se Mitrovica është e bashkuar, por që pret që kjo të bëhet edhe në mënyrë administrative. Ndërkohë, ai ka shtuar se i gjithë spektri politik e përkrahin nismën e Bahtirit për bashkim të Mitrovicës, me përjashtim të kryeministrit Haradinaj, i cili sipas tij e konsideron si joserioze këtë nismë.

“Presidenti e ka përkrahe këte iniciativë, jo vetëm presidenti por me përjashtim të kryeministrit edhe gjithë liderët.”, ka thënë Bahtiri duke shtuar se këtë iniciativë e ka përkrahur edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Ai tutje ka thënë se qytetarëve të Mitrovicës iu është bërë padrejtësi kur është marrë vendimi për ndarjen në dy komuna.

“Një padrejtësi që iu ka bë qytetarëve të Mitrovicës dhe me atë vendim që e kanë marrë në atë kohë e kanë dëmtu qytetin e Mitrovicës dhe qytetarët e saj ne po duam një përmirësim. Kjo është shumë e thjeshtë, shumë normale dhe njerëzore dhe unë bëj ftesë që kryeministri ta merr me seriozitet këtë…mos të me detyrojnë të shkojë me tutje” , tha i pari i Mitrovicës duke shtuar se për çdo hap më tutje do të konsultohet me qytetarët e Mitrovicës./RTV21