Petar Miletiq: Asociacioni i Komunave Serbe, i Panevojshëm

Ish deputeti i Kuvendit të Kosovës, Petar Miletiq, tha sot se Kosova nuk ka pasur nevojë fare për një Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe për të cilin kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë kanë nënshkruar marrëveshje në Bruksel.

Miletiq, i cili ka qenë nënkryetar i Kuvendit në legjislaturën e kaluar, u shpreh se serbet e Kosovës kanë të drejta të mjaftueshme në Kushtetutën dhe ligjet e miratuara deri më tani.

“Asociacioni i Komunave Serbe nuk është dashur të vijë fare në pikën e rendit të ditës. Serbët e Kosovës me ligjet dhe aktet nënligjore sipas  Kushtetutës së Kosovës kanë mjaft mbrojtje edhe pa Asociacionin e Komunave”, tha Miletiq.

Komentet e ish deputetit nga veriu i Kosovës u bënë në konferencën e sotme të organizuar nga BIRN Kosova dhe Internews Kosova në të cilën është duke u publikuar raporti më i ri për ecurinë e zbatimit të marrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Ato dispozita të Kushtetutës dhe akte nënligjore të cilat nuk respektohen është muhabet tjetër, megjithatë marrëveshja e nënshkruar e detyron Kosovën dhe Serbinë ta formojnë Asociacionin e Komunave sipas marrëveshjes së Brukselit”, u shpreh Miletiq.

Duke ia bërë një rekapitullim procesit të dialogut në Bruksel të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, Miletiq tha se qëkur ka nisur nënshkrimi i marrëveshjeve Kosovë- Serbi, raportet në teren janë përkeqësuar.

“Jo vetëm mes Kosovës dhe Serbisë por ajo çka për mua ka rëndësi, edhe marrëdhëniet me shqiptarëve dhe serbëve janë më keq”, tha Miletiq.