VV: “Kushtetuta e Republikës së PDK-së”

“Kushtetuta e Republikës së PDK-së” është slogani i aktivistëve të Lëvizja Vetëvendosje para Gjykatës Kushtetuese, të cilët përmes këtij aksioni simbolik kanë shënuar Ditën e Kushtetutës së Kosovës. Në këtë mbishkrim ata kanë vënë edhe fotografinë e kreut të kësaj Gjykate, Enver Hasani.

Zgjim Hyseni, aktivist i Vetëvendosjes, tha se Kushtetuta është shndërruar në instrument për zgjatjen e jetës së pushtetit të PDK-së.

“Enver Hasani i ka shërbyer PDK-së kur ka bërë interpretime për grupin më të madh parlamentar, i ka shërbyer edhe kur ka bërë interpretime për mandatarin në Qeveri. Por kulmi është falsifikimi i kuorumit për zgjatjen e mandatit të tre gjyqtarëve ndërkombëtarë që kishte bërë Presidentja Jahjaga”, tha Hyseni.

Ai tha se falsifikimi i dokumenteve është vepër penale. Sipas tij, interpretimi më i lartë i shtetit nuk duhet të lihet në dorën e Enver Hasanit, për të cilën edhe do të protestohet më 18 prill.

“Ne mendojmë që është protestë kundër kapjes së shtetit, dhe një prej elementeve të kapjes së shtetit është Enver Hasani. Përvoja e deritashme nuk na bënë të besojmë se do të kemi ndryshime sa i përket pasardhësit të Enver Hasanit”, shtoi Zgjim Hyseni.

Për më tepër, Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, do t’i skadojë mandati me 26 qershor të këtij viti. Ai mbush gjashtë vjet në krye të këtij posti.