Rusia Vë Veton Ndaj Rezolutës për Srebrenicën

Rusia hodhi poshtë një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së me rastin e  20 vjetorit të masakrave të Srebrenicës, duke e quajtur atë anti-serbe dhe duke thënë se ajo do të rriste tensionet në Bosnjë.

Rezoluta e cila dënon masakrat e vitit 1995 në Srebrenicë si gjenocid, nuk arriti të miratohet të mërkurën, pasi aleati i Serbisë Rusia, e cila ka të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit, votoi kundër saj.

Ambasadori rus në OKB, Vitali Churkin, tha se rezoluta ishte “konfrontuese dhe e motivuar politikisht”.

Churkin tha se ajo thjesht fajësonte vetëm serbët për mizoritë gjatë luftës së viteve 1992-1995 dhe do të mund të shkaktonte më shumë përçarje në shoqërinë boshnjake.

“Duke pasur parasysh që në Bosnjë dhe Hercegovinë nuk ka konsensus në lidhje me këtë çështje, miratimi i kësaj rezolute do të ishte joproduktiv dhe të çonte në tensione më të mëdha në rajon,” tha ai.

Si Serbia ashtu edhe Republika Srpska mohojnë se vrasja e 7,000 njerëzve nga Srebrenica nga forcat serbe të Bosnjës 20 vjet më parë ishte gjenocid, pavarësisht vendimeve të disa gjykatave ndërkombëtare dhe boshnjake.

Por Mattheë Rycroft, ambasadori i OKB-së nga Britania, e cila propozoi rezolutën, këmbënguli se “ajo nuk akuzon serbët si popull, por përkundrazi bën thirrje për pajtim”.

“Opinioni për të cilin ne nuk biem dakord është nëse ky krim arriti në gjenocid. Ky nuk është një vendim i Këshillit të Sigurimit, por një përkufizim nga dekretet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë,” tha Raycroft.

“Ta quash atë me një tjetër emër nuk do të ndihmonte në pajtim,” shtoi ai.

Kina, Nigeria, Angola dhe Venezuela abstenuan në votim dhe dhjetë vendet anëtare të mbetura të Këshillit të Sigurimit votuan pro rezolutës.

Pas votimit, ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Samantha Poëer, e cila ishte reportere në Bosnje në periudhën e masakrave, e quajti veton e Rusisë “zemërthyese” për familjet e atyre që vdiqën.

“Kur dëgjova për krimet, thashë: ‘Jo!’ Kur dëgjova për planin e Rusisë që të ushtronte veton e saj për këtë, pata të njëjtin reagim. Pse Rusia do ta mohonte njohjen e gjenocidit në Srebrenicë?” pyeti ajo.

Por presidenti serb Tomislav Nikoliq tha në një deklaratë se kjo ishte një ditë e rëndësishme për serbët.

“Jo vetëm se kjo parandaloi njollosjen e të gjithë kombit serb në përpjekje për të deklaruar një gjenocid, por për shkak se sot Rusia tregoi dhe dëshmoi se është një mike e vërtetë dhe e ndershme,” tha Nikoliq.

Rezoluta ka shkaktuar javë të tëra armiqësi politike para përvjetorit të Srebrenicës.

Kryeministri serb Aleksandër Vuçiq tha të martën se Rusia e kishte “siguruar personalisht” që teksti I cili dënon gjenocidin e boshnjakëve nuk do të miratohej.

Rusia, e cila është aktualisht në konflikt me Perëndimin në lidhje me Ukrainën, kishte propozuar një rezolutë alternative e cila nuk përmendte gjenocidin ose Srebrenicën, por në vend të kësaj dënonte krimet e kryera gjatë luftës së viteve 1992-1995 në Bosnjë në përgjithësi.

Pavarësisht debatit të vazhdueshëm mbi rezolutën, Vuçiq tha se “nëse plotësohen kushtet”, ai do të përfaqësojë Serbinë në Srebrenicë më 11 korrik me rastin e përkujtimores së 20 vjetorit të masakrave.