Rama: "Shqipëria e Madhe", Ide e Atyre që Nuk i Duan të Mirën Shqiptarëve

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se qeveria e tij nuk kishte mbështetur kurrë idenë e “Shqipërisë së Madhe”.

Ai e bëri këtë koment, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në konferencën e përbashkët për medie me Kryeministrin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

“Shqipëria e Madhe është një ide e atyre që nuk ia duan të mirën shqiptarëve”, tha Kryeministri Rama.

Ai gjithashtu tha se diçka e tillë nuk ka qenë kurrë ide apo projekt i qeverisë së Shqipërisë dhe se beonte tek integriteti i kufijve të shteteve në Ballkan.

Lidhur me incidentin e dronit në stadiumin “Partizan” të Beogradit, Kryeministri Vuçiq tha se bëhet fjalë për tre persona të ardhur nga Italia pak ditë para ndeshjes ndërmjet kombëtares së Serbisë dhe asaj të Shqipërisë.

Ai përmendi sërish qëndrimin zyrtar të Serbisë për Kosovën, por apeloi për dialog dhe mirëkuptim.

“Është fakt që nuk pajtohemi për Kosovën dhe Metohinë. Serbia e trajton dhe do vazhdojë ta trajtojë si pjesë të saj Kosovën, ndërsa Shqipëria e trajton si shtet të pavarur. Une mendoj se këto mospërputhje duhet t’i sheshojmë me dialog dhe në mënyrë paqësore”, tha Kryeministri serb.

Rama ripërsëriti qëndrimin për nevojën e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia, duke e konsideruar diçka të tillë si një veprim “çlirues” për vetë Serbinë.

Të dy kryeministrat gjithashtu diskutuan për mundësinë e bashkëpunimit ekonomik, duke veçuar edhe një autostradën Durrës-Nish.

Për këtë të fundit, Vuçiq tha se pritet që të jetë një projekt i kushtueshëm.

Rama u ndal edhe te trajtimi i minoriteteve në Shqipëri, duke thënë se qasja pozitive ndaj tyre shkonte përtej konventave ndërkombëtare.

Ai shprehu krenarinë se aty ku shqiptarët mbizotërojnë, trajtimi që i bëhet komunitetit serb dhe etnive të tjera është “spektakolar”.

Kryeministri i Serbisë Aleksandër Vuçiq dhe homologu i tij Edi Rama u takuan sot në Tiranë, në ceremoninë zyrtare të përgatitur me këtë rast.

Vuçiq u prit me nderimet protokollare në Pallatin e Brigadave, në tingujt e himnit serb dhe atij shqiptar.

Sipas parashikimeve, në 11:00, Vuçiq mbërriti në aeroportin “Nënë Tereza” dhe më pas udhëtoi drejt Tiranës nën masa shumë të rrepta sigurie.

Rreth 1500 policë dhe forca të tjera të sigurisë janë angazhuar për sigurinë e Kryeministrit të Serbisë, ndërsa raportime nga Tirana thanë për Kallxo.com se helikopterë ushtarakë fluturojnë mbi kryeqytetin e Shqipërisë.

Ky udhëtim përfaqëson takimin e radhës mes Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe homologut të tij serb, si kthim i vizitës së Ramës në Serbi, takim ky që u shoqërua me tone të tensionuara mes dy zyrtarëve kur Rama foli për Kosovën e pavarur.

Kjo është hera e parë që një kryeministër i Serbisë viziton Shqipërinë.