Inspektorit Gjakovar i Refuzohet Kërkesa për Hedhje Poshtë të Aktakuzës

Gjykata Themelore e Gjakovës refuzoi sot kërkesën e Ndrec Dodajt, avokatit të zyrtarit gjakovar Afrim Luzha për hedhjen poshtë të aktakuzës për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas aktakuzës Afrim Luzha akuzohet se “gjatë periudhës 2010 deri në vitin 2014 në cilësinë e inspektorit bujqësor në Komunën e Gjakovës ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme dobinë pasurore nga i dëmtuari M.N., pronar i një lokali afaristo-biznesor”.

Aktakuza shpjegon se përfitimin e paligjshëm material Luzha e realizoi duke i kërkuar afaristit pajisjen me certifikatën për ofrimin e shërbimeve me pije alkoolike.

Për këtë [afaristi] është dashur të paguajë taksën prej 500 euro në vit, kështu që i akuzuari ka marrë para në dorë kinse do shkojë për t’i paguar në emër të biznesit të të dëmtuarit ,por që këtë gjë nuk e ka bërë dhe nganjëherë e ka bërë pjesërisht. Dhe nuk e ka pajisur me certifikatën e tillë,” thuhet në aktakuzë.

Ndrec Dodaj, avokati i Afrim Luzhës kërkoi hedhjen poshtë të aktakuzës me arsyetimin se ajo është e pabazë.

“Ngase nuk ka prova të mjaftueshme për ta mbështetur dyshimin e bazuar, përpos parashtresës për hedhje të aktakuzës nuk kemi diçka tjetër për të shtuar,” tha avokati Dodaj.

Prokurori Agron Matjani e tha të kundërtën, se aktakuza ka prova të mjaftueshme.

“Lidhur me hedhjen e aktakuzës për shkak të mungesës së provave, i propozoj kryetarit të trupit gjykues të hedhë poshtë kërkesën e mbrojtjes për arsye se aktakuza mban prova të mjaftueshme që dëshmojnë se i akuzuari ka kry vepër penale, “ tha prokurori Matjani.

Pas fjalëve të avokatit dhe prokurorit, gjykata refuzoi kërkesën e palës mbrojtëse për hedhjen poshtë të aktakuzës.

“Refuzohet kërkesa e mbrojtjes për hedhjen e aktakuzës si e pabazuar,” sqaroi gjykata.

Prokurori Matjani gjatë seancës propozoi edhe disa dëshmitarë që nuk ishin përfshirë në aktakuzë, ndërsa gjykata e pranoi propozimin e tij.