Inspektori i Minierave dhe Mineraleve Deklarohet i Pafajshëm

Inspektori i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale Lulzim Çitaku akuzohet për marrje të ryshfetit dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Inspektorati i Minierave dhe Mineraleve është një mekanizëm publik, përgjegjës për ndalimin  e të gjitha eksploatimeve pa leje të mineraleve dhe pasurive nëntokësore të Kosovës.

Por Lulzim Çitaku akuzohet së në nëntor të vitit 2013 në cilësi të inspektorit të KPMM-së në fshatin Gremnik të komunës së Klinës, në bashkëpunim me inspektorin tjetër tanimë të dënuar Nuredin Bislimi, i kanë kërkuar 1000 euro mitë Bedri Elezajt pronarit të kompanisë “Elezaj ShPK” për të mos i shqiptuar gjobë për eksploatim të zhavorrit pa licencë.

Në këtë proces gjyqësor bashkë me Çitakun ishte i akuzuar edhe kryeinspektori i Minierave dhe Mineraleve Nuredin Bislimi, por ai e pranoi fajësinë dhe arriti marrëveshje për këtë pranim me prokurorinë, prandaj procesi kundër Çitakut u veçua nga ai i Bislimit.

Bislimi në janar të vitit të kaluar u dënua me 10 muaj burg, 2 mijë euro gjobë dhe 3 vjet ndalim të ushtrimit të detyrës.

Çitaku akuzohet edhe për keqpërdorim të detyrës zyrtare pasi ka detyruar pronarët e seperacioneve të zhavorrit në Rrafshin e Dukagjinit t’i japin ryshfet për të mos u shqipptuar gjoba.

Në seancën e sotme kundër Çitakut dëshmuan pesë persona, mes tyre edhe Bedri Elezaj.

Nga këto dëshmi doli se Çitaku u kishte shqiptuar gjoba kompanive në mënyrë selektive, duke gjobitur ata që nuk tentonin ta korruptonin.

Ndërsa sa u përket drekave që sipas aktakuzës i akuzuari u kishte kërkuar pronarëve të kompanive që sot ishin në cilesinë e dëshmitarëve, ata mohuan faktin se i akuzuari ua kishte kërkuar shprehimisht, mirëpo thanë se vetë e kanë qerasur për qëllime shoqërore apo kureshtje.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja, Çitaku ndërsa bëri me dije se e ka kuptuar në tërësi për çfarë akuzohet, u deklarua i pafajshëm.

“E kuptoj plotësisht aktakuzën dhe nuk jam fajtor për asnjërën vepër për të cilën akuzohem,” tha Çitaku.

Prokurorja Sahide Gashi tha se u mbetet besnike atyre që thuhen në aktakuzë.

“I dënuari tani Nuredin Bislimi, i thotë (të dëmtuarit Elezaj) se mund të merremi vesh për këtë dhe disa ditë para ditës kritike takohen në Prishtinë, ku i njëjti i kërkon shumën prej 1000 euro, me kusht që të mos i shqiptohet gjoba e cila siç e di edhe dëshmitari  Bedri, kap shumën prej 7000 euro,” tha ajo.

Mahmut Halimi, avokati i inspektorit Çitaku e tha të kundërtën.

“Asnjë nga këto prova, në asnjë mënyrë nuk e implikon inkuadrimin e tij apo në çfarëdo mënyre pjesëmarrjen e tij në kryerjen e kësaj vepre penale e cila i vihet në barrë,” tha ai.

Halimi u shpreh i bindur se do të vërtetohet pafajësia e klientit të tij në fazat e mëvonshme të shqyrtimit gjyqësor dhe se provat e nxjerra nga prokuroria janë të lidhura ngushtë me fajësinë e tanimë të dënuarit Bislimi, e jo me të mbrojturin e tij.

Seanca e radhës e këtij procesi do të mbahet më 22 shtator.

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” në dhjetor të vitit 2013 transmetoi hulumtimin e marrjes së mitës nga kryeinspektori Bislimi dhe inspektori Çitaku.