I Arrestuari i Dytë e Pranon Përfshirjen në Vrasjen e Rojës së ‘Albi Mall’

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se e ka arrestuar edhe një person të dytë si të dyshuar për përfshirje në vrasjen e rojës së Albi Mall në periferi të Prishtinës më 30 mars.

Me anë të një komunikate, Policia njoftoi se fillimisht më 7 prill është arrestuar i dyshuari i parë i përfshirë në këtë, të cilit me vendim të prokurorit kompetent i është caktuar masa e ndalimit, për të vazhduar me hetime të mëtutjeshme policore.

KALLXO.com ka raportuar dje se i arrestuari është një kamerier që ka punuar në një nga lokalet e qendrës tregtare.

Ndërsa mbrëmë rreth orës 23:45 minuta, Policia thotë se është identifikuar dhe intervistuar edhe personi i dytë i dyshuar, i cili në prezencën e avokatit mbrojtës “ka pranuar se është përfshirë në rastin e vrasjes në fjalë”.

Me vendim të prokurorit të Departamentit të Krimeve të Renda, i dyshuari është dërguar në qendrën e mbajtjes.

Njësitet policore në vazhdimësi të punës hetimore, kanë realizuar disa bastisje, ku në cilësi të provës materiale kanë arritur të konfiskojnë një armë e të fshehur në tokë, e cila dyshohet të jetë përdorur në rast si dhe disa dëshmi tjera materiale që ndërlidhen me rastin.

Policia e Kosovës me njësitet e saja policore, po vazhdon me hetime intensive drejt zbardhjes në tërësi të këtij rasti, ku është në kërkim edhe të një personi tjetër të dyshuar, thuhet në komunikatën e Policisë.