Drejtoria e Arsimit në Obiliq Shpërfilli Udhëzimin e Ministrisë

Lidhja Demokratike e Kosovës si parti opozitare në Komunën e Obiliqit po e akuzon Drejtorinë e Arsimit në Obiliqit se nuk e përfilli udhëzimin administrativ të Ministrisë së Arsimit lidhur me kontratat e punës për mësimdhënësit.

Mehmet Krasniqi, kryetar i degës së LDK-së në Obiliq thotë se DKA-ja e ka shkelur ligjin dhe po tenton t’i mbajë nën kontroll mësimdhënësit.

“Me ligjin e ri që tashmë është në fuqi, fakti që është kontrata e përhershme dhe në komunën tonë por kjo nuk ka ndodhur sepse punëtorëve të arsimit prapë ju është ofruar mundësia e nënshkrimit të kontratës një vjeçare. Ne konsiderojmë se kjo është edhe një shkelje ligjore që bënë DKA-ja, dhe mendoj që prapa saj, mendimi i jonë si opozitë qëndron ideja që punëtorët e arsimit vazhdimisht të jenë të kushtëzuar dhe të shantazhuar në një mënyrë që të mbahen nën kontroll”, tha Krasniqi.

Mehmeti për këtë i referohet udhëzimit të Ministrisë së Arsimit që përcakton se kontratat për disa kategori të mësimdhënësve duhet të jenë të përhershme.

Udhëzimi Administrativ i MASHT-it, i datës 1 shtator 2015, me numër 10/2015 lidhur me kontratat e punës për mësimdhënësit në nivel para universitar, në pikën 3 parasheh, kontratë të pacaktuar.

Mehemti thotë se ky udhëzim është shkelur dhe një numri i madh i mësimdhënësve ka nënshkruar kontratat një vjeçare.

“Sipas informacioneve që unë kamë ka një numër të konsiderueshëm i punëtoreve të arsimit që i kanë nënshkruar kontratat një vjeçare, është krejtësisht e logjikshme fakti që nëse i ofrohet dikujt kontrata një vjeçare ndërkaq në fuqi është ligji për kontratë të përhershme është krejtësisht legale që prapa qëndron kërcënimi ose nënshkruajë kontratën një vjeçare ose do të mbetesh pa punë”, tha Krasniqi.

Që disa mësimdhënësve u janë ofruar kontrata një vjeçare e konfirmoi edhe mësimdhënësi në shkollën “Hasan Tahsini”, Bajram Hashani.

“Është e vërtetë që në shkollën tonë janë ofruar kontrata një vjeçare për të gjithë stafin pavarësisht se a e kanë përgatitjen adekuate apo nuk e kanë, kështu që për të gjithë janë ofruar kontratat një vjeçare e jo kontratat kolektive apo të përhershme si në komunat që kanë filluar të aplikohen këtë vit”, tha Hashani.

Hashani beson se kontratë një vjeçare ju është ofruar edhe kolegëve të tij.

“Po besoj që shumica e profesorëve me përjashtime ndonjë por shumica i kanë nënshkruar këto kontrata një vjeçare”, tha Hashani.

Drejtori i Arsimit në Komunën e Obiliqit, mos-aplikimin e kontratave të përhershme e arsyeton me faktin e disa dilemave që i kanë pasur lidhur me aplikimin e udhëzimit të Ministrisë së Arsimit.

“I kemi edhe disa dilema për ti sqaruar dhe kontratat kolektive do të fillojmë për t’i aplikuar edhe ne në komunën e Obiliqit. Për këtë qëllim kemi caktuar një takim nesër në ora 10 me drejtorë të shkollave dhe me kryetarë të sindikatave, të shohim edhe tekstin e kontratës së përhershme, se a kemi nevojë për të ndryshuar dhe plotësuar. Nëse kanë vërejtje edhe kryetarët e sindikatave të cilët e përcjellin mendimin e bazës, edhe drejtorët e shkollave ndoshta do ta formojmë edhe një grup që t’i harmonizojmë këto çështje dhe për ne në DKA më lehtë është të lëshojmë kontrata të përhershme që të mos i përsërisim vit pas viti”, tha Spahiu.

Spahiu arsyetohet për lëshimin e kontratave në kohë të caktuar duke thënë se këtë e kanë bërë për të mos i lënë mësimdhënësit pa kontrata.

“Deri tash ne i kemi lëshuar kontratat që mësimdhënësit ti kenë kontratat sepse pa kontrata nuk bënë të punohet asnjë ditë. Kur të fillojmë t’i lëshojmë kontratat kanë për të kaluar nëpër një komision duhet me i plotësuar disa kritere për me ju taku kontratat e përhershme edhe tërhiqen ato kontratat dhe lëshohen kontratat e përhershme”, tha Spahiu.