ATK-ja Shet Pronë me ‘Bela’

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” sonte transmeton të gjeturat nga hulumtimi i cili flet për aferat e Administratës Tatimore të Kosovës në shitjen e pronave të konfiskuara.

Hulumtimi i ekipit të emisionit “Drejtësia në Kosovë” për konfiskimin e një prone shoqërore nga Administrata Tatimore e Kosovës, tregon se kjo pronë e cila iu shit Behxhet Halitit nga fshati Godanc i Shtimes, doli se është pronë private.

“Drejtësia në Kosovë” sjell faktet se si ATK-ja është përpjekur që ta mbulojë dështimin e vet me kompensimin e një parcele tjetër për fituesin e ankandit Behxhet Haliti, por kishte dështuar.

Hulumtimi sjell rrëfimin e Behxhet Halitit, i cili i harxhoi paratë e tij të fituara nga puna në mërgim por nuk e fitoi të drejtën në pronën që bleu nga ATK-ja.

Po ashtu “Drejtësia në Kosovë” do transmetojë edhe akuzat që ATK-ja e Komuna e Shtimes i drejtojnë nga njëra-tjetra dhe faktet se si Prokuroria e Ferizajt nuk kishte gjetur bazë për ta hetuar tërë procesin e shitjes së pronës së konfiskuar nga ATK-ja.

Në fund të emisionit, “Drejtësia në Kosovë” transmeton Rubrikën “Policia”, do të transmetohen filmimet ekskluzive të  ndërhyrjes së njësive speciale në veriun e Mitrovicës, në një nga aksionet më të mëdha të njësive speciale në Mitrovicën Veriore.

“Drejtësia në Kosovë” transmetohet çdo të premte në 20:20 në RTK dhe repriza të hënën në mesditë.