AGK Dënon Kërcënimet Ndaj Gazetares Serbeze Haxhiaj

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) përmes një komunikate për media ka shprehur shqetësimin për kërcënimet e vazhdueshme të disa individëve të deklaruar si ish-eprorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj gazetares së Radio Kosovës, Serbeze Haxhiaj.

“Gazetarja Haxhiaj ka njoftuar se është penguar dhe kërcënuar derisa po punonte në temën që ka për qëllim zbulimin e të vërtetave mbi statusin e dëshmorit në luftën e UÇK-së”, thuhet në reagimin e AGK-së.

“Asociacioni i Gazetarëve kërkon nga organet e rendit që t’i identifikojë sulmuesit dhe ta adresojë këtë çështje sipas ligjit”, thuhej më tej në reagim.

AGK i bën thirrje menaxhmentit të Radio Kosovës që të garantojë ambient të sigurt për gazetarët që punojnë në tema me interes të publikut, në mënyrë që në asnjë rast të mos ndikohet puna e tyre nga kërcënimet që vijnë nga jashtë.

Njëherësh AGK thotë se do të hulumtojë dyshimet e ngritura nga gazetarja Haxhijaj për censurë pasi hulumtimi ende nuk është transmetuar.