100 Mijë Eshtra Qeramike në Kujtim të Srebrenicës

Një vepër arti e përbërë prej 100 mijë eshtrash nga qeramika do të ekspozohet në kujtim të viktimave të Srebrenicës.

Me rastin e 20 vjetorit të gjenocidit të Srebrenicës, një vepër arti e përbërë prej 100,000 eshtrash qeramike do të ekspozohen për të përkujtuar viktimat eshtrat e të cilëve u gjetën në varre masive.

Velma Sariq, presidentja e OJQ-së në Sarajevë “Qendra Kërkimore e Paskonfliktit” tha për BIRN-in se ekspozita do të hapet për përkujtimoren me rastin e përvjetorit të gjenocidit këtë javë dhe më pas do të bëhet një pjesë e përhershme e memorialit të Srebrenicës.

“Ky është një mjet jetik arsimor dhe një simbol i madh. Nëpërmjet kësaj ekspozite vizuale, ne dëshirojmë të përkujtojmë mijëra viktimat e gjetura në varre masive të shpërndara në të gjithë rajonin e Bosnjës Lindore, por gjithashtu të sigurohemi të kemi një mjet më edukativ për brezin e ri,” tha Sariq.

Ekspozita është pjesë e një projekti nga organizatë amerikane “Arti i Revolucionit” i quajtur ‘Një Milion Eshtra’, i cili ka për qëllim të rrisë ndërgjegjësimin mbi gjenocidet dhe mizoritë masive në botë.

“Ne kemi një histori tragjike në Bosnjë dhe Hercegovinë, Sidomos në Srebrenicë. Eshtrat janë pjesë e jetës sonë të përditshme. Kjo është arsyeja pse ne besonim se ky do të ishte gjithashtu një mesazh i rëndësishëm për ne,” tha Sariq, e cila e pa për herë të parë projektin të ekspozuar në Uashington në vitin 2013.

Ajo tha se ekspozita do të ngrihet nga 20 vullnetarë nga i gjithë rajoni dhe pjesë të tjera të botës për përkujtimoren e Srebrenicës.

“Ata do t’i kalojnë eshtrat dorë më dorë dhe do të bëjnë gati gjithçka. Të gjithë vullnetarët tanë, disa janë nga Bosnja, disa nga Serbia dhe disa nga Republika Srpska. Ata do të punojnë bashkë dhe kjo është një gjë e madhe,” shtoi ajo.

Kryetari i komunës së Srebrenicës Camil Durakoviq tha se ekspozita e përhershme e eshtrave prej qeramike do të bënte një deklaratë të fuqishme.

“Janë realizuar shumë projekte në lidhje me gjenocidin e Srebrenicës, por shumë rrallë vijnë iniciativa që kanë një impakt afatgjatë dhe kanë në plan qëndrueshmërinë për të ardhmen. Ky është një projekt historik që ka fuqinë të paraqesë vizualisht pasojat e gjenocidit, jo vetëm gjatë përkujtimores, por gjithashtu edhe në vitet në vazhdim,” tha Durakoviq.

Ditën e shtunë, 136 viktima të masakrave të Srebrenicës do të prehen në qendrën përkujtimore në Potoçari, ku janë varrosur tashmë më shumë se 6,000 viktima boshnjake.

Masakrat e më shumë se 7,000 boshnjakëve nga forcat serbe të Bosnjës në korrik të vitit 1995 janë cilësuar si gjenocid nga gjykatat ndërkombëtare dhe ato vendase.