Përkujtohet në Prishtinë armëpushimi i Luftës së Parë Botërore

Franca dhe Gjermania përkujtojnë së bashku përvjetorin e 100-të, armëpushimin e datës 11 nëntor 1918 që i dha fund luftimeve të Luftës së Parë Botërore.

Një ceremoni ushtarake në këndin e Francezëve dhe Gjermanëve të rënë në Prishtinë gjatë luftimeve në Frontin Lindor, do të mbahet sot në orën 11:45.

Ky kënd ndodhet brenda varrezave krishtere në afërsi të kampit të KFOR, Film City.

Më 11 nëntor të vitit 1918, Gjermania nënshkruajti një marrëveshje për armëpushim me aleatët në një vagon treni në pyllin Compiegne të Francës.

Luftimet ndaluan zyrtarisht në orën 11:00, të ditës së 11 të muajit të 11 dhe kjo ditë është nderuar çdo vit me një heshtje dy-minutëshe, ndërsa Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur 11 nëntorin Ditën e Veteranëve.

Lufta e parë Botërore përfundoi zyrtarisht me nënshkrimin e Traktatit të Versajës, më 28 qershor 1919./21Media