Veteranët mblidhen para ceremonisë për shënimin e Ditës së Armëpushimit. Paris, 11 nëntor 2018 _ Foto: REL/Reuters

Shënohet 100-vjetori i përfundimit të Luftës së Parë Botërore

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron pret rreth 70 liderë botërorë sot në Paris, në ceremoninë për të shënuar 100-vjetorin e përfundimit të Luftës së Parë Botërore.

Armëpushimi hyri në fuqi më 11 nëntor, 1918, duke i dhënë fund kështu luftës katërvjeçare, që la të vdekur të paktën 10 milionë ushtarë dhe miliona civilë.

Macron do të nderojë ushtarët e vrarë gjatë një fjalimi në “Harkun e Triumfit” ku është varrosur një ushtar i panjohur që është vrarë gjatë luftës.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kancelarja gjermane, Angela Merkel, presidenti rus, Vladimir Putin, ai i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, janë në mesin e udhëheqësve botërorë që pritet të marrin pjesë në drekën e shtruar nga presidenti francez në Pallatin Elize.

Presidenti Donald Trump dhe homologu i tij francez, Emmanuel Macron. Paris, 10 nëntor 2018.

Në ceremonitë për shënimin e 100-vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore, me ftesë të Macronit, po merr pjesë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq.

Megjithatë, Thaçi në një konferencë për media nga Parisi një ditë më parë, ka thënë se nuk ka të planifikuar një takim me Vuçiqin në Paris.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është pritur sot në Pallatin Elize nga presidenti Macron.

Më 10 nëntor, gjatë një darke morën pjesë shumë liderë. Presidenti Macron paralajmëroi se paqja po merret si e mirëqenë.

“Disa nga ne kanë qenë në fronte të kundërta në atë kohë (gjatë Luftës së Parë Botërore) dhe ne jemi bashkuar sonte. Ky është homazhi më i madh që ne mund të bëjmë” për ushtarët e vrarë, tha ai.

Sot në Paris do të mbahet Forumi i Paqes, ku Macron ka thënë se dëshiron të promovojë një qasje multilaterale për sigurinë dhe qeverisjen.

Merkel tha se Forumi tregon se “sot ka vullnet, dhe këtë gjë unë e them në emër të Gjermanisë me bindje të plotë, se do të bëjmë gjithçka që të kemi një rend më paqësor në botë, megjithëse e dimë se ende kemi shumë punë për të bërë”.

Presidenti Trump nuk pritet që të marrë pjesë në ceremoninë e forumit, ndonëse homologu i tij rus, Putin do të jetë i pranishëm.

Trump ka thënë se nuk do të mbajë një samit dypalësh me Putinin në Paris, teksa Shtëpia e Bardhë ka thënë se nuk kanë dashur që një takim kokë më kokë Trump-Putin, të lë në hije ceremonitë për Luftën e Parë Botërore.

Dy liderët me gjasë do të takohen sërish në samitin e G-20, që do të mbahet në Buenos Aires të Argjentinës më vonë gjatë këtij muaji. (REL)