Foto: Kossev.info

Përfaqësuesit e Serbëve Mblidhen në Mitrovicë të Veriut

Përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës, kryesisht pjesëtarë të Listës Serbe, janë mbledhur në Mitrovicën e Veriut, për të folur për situatën në Kosovë nën siglën e “Bashkësisë së Komunave Serbe”.

Takimi po mbahet pikërisht në sallën ku ditë më parë shefi i Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Marko Gjuriq u nxor i prangosur nga njësitet speciale të Policisë.

Ky takim është thirrur të fillojë në orën 12:44 si simbolikë e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, por takimi, sipas mediave lokale, filloi me nëntë minuta vonesë, në orën 12:53

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviq, kritikoi qeverinë e Kosovës dhe Bashkimin Europian se “nuk po duan” ta themelojnë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Vendi i BE-së këtu mbetet i zbrazët, nuk duan të na ndihmojnë”, tha ai duke bërë me dorë nga një karrige e zbrazët në sallë.

Ai tha se “e drejta dhe drejtësia janë në anën tonë”.

“Pesë vjet kanë kaluar nga marrëveshja e nënshkruar në Bruksel dhe Asociacioni i Komunave me Shumicë serbe nuk po formohet sepse Prishtina nuk po dëshiron ta themelojë. Perëndimi dhe Prishtina nuk janë të gatshëm ta themelojnë këtë Asociacion”, tha Todosijeviq.

“Të gjithë ata që dëgjojnë mirë le të dëgjojnë mirë, përderisa Perëndimi dhe Prishtina nuk dëshirojnë ta themelojnë Asociacionin, ne kemi të drejtë ta themelojmë vetë këtë Asociacion”, tha ai.

“Le të na arrestojnë, nëse munden të gjithëve le të na arrestojnë”, shtoi Todosijeviq.