Foto: Taulant Hodaj/Facebook

Pas intervistimit në Hagë, Shukri Buja kthehet nesër në Kosovë

Ish-kryetari i Komunës së Lipjanit, njëherësh ish-komandanti i Zonës Operative të Nerodimes, Shukri Buja, është intervistuar gjatë ditës së sotme nga Gjykata Speciale në Hagë dhe nesër pritet të kthehet në Kosovë.

Këtë e ka bërë të ditur avokati i Bujës, Taulant Hodaj.

Hodaj ka thënë se ai së bashku me ish-prokurorin e rastit të ish-presidentit jugosllav, Slobodan Millosheviq, avokatin Sir Geoffrey Nice, e kanë përfaqësuar Bujën në intervistën pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

“Nder dhe kënaqësi të ju njoftoj se së bashku me ish-prokurorin në rastin e ish-presidentit jugosllav Slobodan Miloseviq, avokatin e mirënjohur Sir Geoffrey Nice, sot si mbrojtës kemi përfaqësuar z. Buja në intervistën pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë. Intervista u zhvillua komfor pritshmërive dhe përgatitjeve tona dhe z. Buja nesër do të kthehet në Kosovë”, ka shkruar Hodaj në Facebook.

Gjykata Speciale riktheu vëmendjen e opinionit në javën që lamë pas, me rastin e dërgimit të ftesave për intervistim kundrejt figurave të larta politike në vend, siç është kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj si dhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Thirrja nga Dhomat e Specializuara për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit, ishte motiv për Haradinajn që të jepte dorëheqje nga pozita e shefit të Qeverisë së Kosovës. Haradinaj është nisur sot për në Hagë.

Ndërkaq, ish-zëdhënësi dhe anëtari i shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi është ftuar të paraqitet neslërm, më 24 korrik në Gjykatën Speciale.

Gjithashtu, të dielën u bë e ditur se ish-kryetari i Komunës së Lipjanit, njëherësh ish-komandant i Zonës Operative të Nerodimes, Shukri Buja ka udhëtuar për në Hagë për t’u paraqitur para prokurorëve të Speciales.

https://kallxo.com/zgjatet-lista-e-te-ftuarve-te-gjykates-speciale/

.