Vendi ku u vra Oliver Ivanoviqi - Foto: KALLXO.com

Partia e Ivanoviqit Kritikon Policinë e Kosovës për Hetimin

Partia që drejtohej nga politikani i vrarë serb i Kosovës Oliver Ivanoviq u shpreh se Policia e Kosovës “nuk ka vullnet” për të gjetur vrasësit sepse deri më tani s’është zbuluar asnjë informacion në lidhje me hetimin.

Ksenija Bozhoviq, zëdhënësja e partisë Liri, Demokraci dhe Drejtësi, kritikoi të martën policinë e Kosovës për dyshimin se nuk po zbulon detaje në lidhje me hetimin për vrasjen muajin e kaluar të liderit të partisë, Oliver Ivanoviq.

“Dje u bënë 20 ditë që nga vrasja. Deri më sot ne s’kemi mësuar asnjë detaj nga hetimi, pavarësisht se i kemi telefonuar vazhdimisht njësisë hetimore në Mitrovicë dhe drejtorit të policisë në Prishtinë,” tha Bozhoviq për BIRN.

Ivanoviq u qëllua për vdekje mëngjesin e 16 janarit para zyrës së partisë së tij në qytetin verior të Mitrovicës dhe vdiq më pas në spital. Vrasja e tij është dënuar gjerësisht nga zyrtarë të BE-së, Serbisë dhe Kosovës.

Serbia dhe Kosova u zotuan se do të shkëmbenin informacione mbi hetimin, por që atëherë të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për mungesë vullneti për të bashkëpunuar.

Ministri i Drejtësisë i Kosovës Abelard Tahiri deklaroi të hënën se Beogradi ende nuk i është përgjigjur katër kërkesave të Prishtinës për informacione.

Ai tha gjithashtu se Kosova i dërgoi Serbisë informacionet që kërkoi Beogradi, por Ministria serbe e Drejtësisë mohoi t’i ketë marrë këto informacione.

“Ne e shohim këtë grindje në media. Kjo na lëndon edhe më shumë,” tha Bozhoviq.

Ajo pretendoi se hetimi për vrasjen ishte “i shkujdesur” që në fillim, pasi policisë iu deshën “pothuajse 20 minuta” që të mbërrinte në vendin e ngjarjes.

Megjithatë, ajo shtoi se familja e Ivanoviqit ende ka shpresë se vrasësi do të identifikohet.

“Familja do ta ketë më të lehtë, nëse ata e dinë se kush është vrasësi,” tha ajo.

Ivanoviqi shihej si një politikan i moderuar që mbështeste bashkëjetesën mes pakicës serbe të Kosovës dhe shumicës shqiptare.

Megjithatë ai po rigjykohej për urdhërimin e vrasjes së shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës në vitin 1999. Ai e deklaroi veten të pafajshëm.

Para se të qëllohej për vdekje, Ivanoviqi ishte ankuar disa herë se kishte marrë kërcënime me vdekje.

Ai ishte një kundërshtar i partisë kryesore serbe të Kosovës të mbështetur nga Beogradi, Lista Serbe, e cila tani është pjesë e qeverisë së Kosovës.