Deputeti Ilir Deda - Foto: Rtv21

Paralajmërimi i deputetit Ilir Deda: Unë refuzoj të jem pjesë e kësaj lloj politike

Deputeti i Alternativës, Ilir Deda ka bërë të ditur se është duke e shqyrtuar mundësinë që të mos kandidojë edhe për një mandat në zgjedhjet e ardhshme.

Përmes një postimi në Facebook, Deda ka shkruar se refuzon të ‘jetë pjesë e kësaj politike’, të cilën ai e quan primitive dhe skajshmërisht të papërgjegjshme.

“Miq të dashur, Ju faleminderit të gjithëve që më keni përkrahur ndër vite, pa rezervë e pa interes, në angazhimin tim partiak. Nuk ka qenë aspak rrugëtim i lehtë, por gjithmonë – me përkrahjen tuaj – kemi treguar që kjo Kosovë e jona mund të jetë përparimtare dhe e ndershme, e jo klienteliste dhe regresive. Unë nuk do të isha këtu sot pa ju. Por, ambienti i përgjithshëm politik e partiak në Kosovë aq ka degraduar, sa që verbëria e interesave të ngushta partiake e ka mbytur çfarëdo hapësire racionale shtetformuese, ku ikja nga përgjegjësia ndaj shtetit në politikë maskohet me parulla koti partiake”, ka shkruar deputeti Deda.

Deputeti i Alternativës ka shkruar më tej se Kosova po e kalon purgatorin e vet si prej sfidimit serioz të shtetësisë në arenën ndërkombëtare, e deri te puqja e dy proceseve jetike – atë të dialogut me Serbinë për marrëveshje potenciale finale dhe fillimin e proceseve në Gjykatën Speciale.

Mundësia e mos-kandidimit në zgjedhjet e ardhshme sipas Dedës nuk është dorëzim, por akt proteste ndaj frymës shtet-degraduese siç e quan ai, në skenën politike në Kosovë.

“Unë refuzoj të jem pjesë e kësaj lloj politike, esencialisht primitive dhe skajshmërisht të papërgjegjshme. Dhe rrjedhimisht, të gjitha veprimet politike do t’i marr në përputhje me bindjen se përgjegjësi primare kemi ndaj qytetarëve dhe shtetit. Me këtë rast, të dashur qytetarë që ma keni dhënë besimin në dy mandate në Kuvendin e Kosovës, ju njoftoj se jam duke e shqyrtuar edhe mundësinë e mos-kandidimit në zgjedhjet e ardhshme. Ky shqyrtim i angazhimit tim të mëtutjeshëm politik nuk është dorëzim, por një akt i protestës ndaj frymës shtet-degraduese që e ka mbërthyer skenën politike në Kosovë”, ka shkruar deputeti Ilir Deda.