Çekani i gjykatës - Foto: KALLXO.com

Paraburgim për Shtetasit e Serbisë, të Dyshuar për Granatat në Autobus

Një muaj paraburgim është masa e sigurisë që Gjykata Themelore e Mitrovicës e ka shqiptuar në rastin e të pandehurve S.A., D.U. dhe G.S.

Të njëjtit po dyshohen për veprat penale eksporti, importi, furnizimi, transporti, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse.

Në aktvendimin e Gjykatës për masën e paraburgimit thuhet se më 22 tetor gjatë kontrollimit të një autobusi i cili po hynte nga Serbia në Kosovë është hasur një pako e dyshimtë me mjete shpërthyese, e cila është hapur nga eksperti i IEDD.

“Në të kanë qenë dy pako të vogla dhe brenda në pako janë gjetur nga një granatë dore dhe nga një detonator elektrik që shërbejnë për inicimin përkatësisht shpërthimin e eksplozivit të mbështjellura me plastelinë”, thuhet në aktvendim, raporton KALLXO.com.

Në seancën e dëgjimit prokurori Naim Beka e ka elaboruar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit duke theksuar se nga shkresat e lëndës konsideron se ekziston dyshim i bazuar që të pandehurit, shtetas të Serbisë, kanë kryer veprat penale për të cilat janë duke u hetuar.

Mbrojtësit e të pandehurve, avokatët Millosh Deleviq, Faruk Korenica dhe Lubomir Pantoviq, e kundërshtuan kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit duke e kontestuar fillimisht dyshimin e bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat ngarkohen.

Ata propozuan caktimin e masave alternative – masën e arrestit shtëpiak apo edhe të dorëzanisë si masa për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë dhe zhvillimin e papenguar të procedurës penale.

Mirëpo, Gjykata, përkatësisht gjyqtari i procedurës paraprake, Sabit Rama, pasi ka vlerësuar pretendimet e palëve ka gjetur se kërkesa e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit është e bazuar, gjë të cilën, sipas tij, e vërtetojnë edhe provat e paraqitura nga Prokuroria.

Sipas gjyqtarit Rama, masat e tjera alternative më të buta nuk do të arrinin qëllimin e masave.

KALLXO.com ofroi pamje video të rastit të ndalimit të autobusit në pikën kufitare në Jarinjë, në të cilin u gjetën granata dore dhe detonatorë.

http://kallxo.com/video-ndalimi-autobusit-mjete-shperthyese-ne-veri/

Po ashtu, KALLXO.com raportoi për masën e ndalimit prej 48-orësh ndaj të dyshuarve.