Opozita e Bashkuar Bojkoton Seancën e Ardhshme

Krahas AAK-së edhe deputetët e Vetëvendosjes do ta bojkotojnë seancën e ardhshme të Kuvendit të Kosovës.

Zëdhënësi i Vetëvendosjes, Adonis Tahiri tha për KALLXO.com se opozita e bashkuar ka bojkotuar seancën e fundit me arsyetimin që dha deputeti Ismajl Kurteshi, dhe meqë  seanca është vazhdim i asaj të kaluarës  qëndrimi i tyre do te mbetet i njëjtë.

“Sa i përket pjesëmarrjes së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje në seancat plenare të Kuvendit ne do ta bëjmë vlerësimin nga seanca në seancë. Sepse, nuk përjashtohet mundësia që koalicioni qeverisës të përpiqet që të kontrabandojë në Kuvend gjëra të këqija si p.sh. statutin e ‘Zajednicës’, likuidimin e Trepçës e të ngjashme, me ç ‘rast ne sigurisht se duhet të jemi aty dhe do të jemi aty”, tha Tahiri.

Ndërsa Haxhi Shala deputet nga Nisma për Kosovën tha se nuk kanë ndonjë qëndrim zyrtar lidhur me pjesëmarrjen e deputetëve të kësaj partie mirëpo meqenëse është vazhdim i seancës së kaluar ai nuk do të marrë pjesë.

“Nuk kam ndonjë qëndrim zyrtar nga partia, mirëpo meqenëse është vazhdim i seancës, unë skam çka kërkoj aty”, tha Shala për KALLXO.com

Ndërsa Ramush Haradinaj tha sot se për Aleancën vendimi për bojkotimin e seancave do të jetë i përhershëm

“Kemi pasë biseda me partitë e tjera opozitare me Vetëvendosjen dhe Nismën, ky ka qenë vendim i marrë prej nesh bukur me kohë prej Aleancës, por kemi qenë në konsulta që me ndodhë së bashku. Ju e dini (Ismajl) Kurteshi në seancën e fundit foli në emër të tri grupeve parlamentare tani se a do të jetë ai vendim i përhershëm a do të ketë zhvillime të reja shohim por për Aleancën është i përhershëm”, tha Ramush Haradinaj

Ndërkaq Opozita e bashkuar ka paralajmëruar se është duke u përqendruar maksimalisht në përgatitjet për tubimin në sallën ‘1 Tetori’ në Prishtinë që mbahet të shtunën më 19 mars 2016 si dhe për protestën e radhës që mbahet në Prishtinë më 26 mars 2016.