Ilustrim

Një vit e gjashtë muaj burgim për Dukagjin Haxhijahën, për aksidentin me fatalitet

Dukagjin Haxhijaha është dënuar me burgim një vit e gjashtë muaj, pasi gjykata e gjeti fajtorë për veprën penale rrezikim i trafikut publik.

Haxhijaha akuzohej nga prokuroria se ka kryer veprën penale rrezikim i trafikut publik, si pasojë e një aksidenti në të cilin humbi jetën njëra nga pasagjeret Zana Hyseni.

Kryetarja e trupit gjykues Violeta Namani shpalli aktgjykimin me anë të të cilit, të akuzuarin Dukagjin Haxhijaha e shpalli fajtor dhe të njëjtit i shqiptoi dënimin me burgim prej 1 vjet e gjashtë muajve.

Në dënim të akuzuarit do t`i llogaritet edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak nga data 26 nëntor 2005 e deri me 26 dhjetor 2005.

Pas shpalljes së aktgjykimit mbrojtësi i të akuzuarit Dukagjin Haxhijaha, avokati Destan Rukiqi, ndaj aktgjykimit të shpallur sot, paralajmëroi ankesë në Gjykatën e Apelit.

Ky rast është i kthyer në rigjykim pasi që në mars të vitit të kaluar Gjykata e Apelit pas shqyrtimit të ankesave të prokurorit si dhe mbrojtësve kishte vendosur ta kthente në rigjykim për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.

Në nëntor të vitit 2016, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur aktgjykimin me anë të të cilit të akuzuarit Dukagjin Haxhijaha i kishte shqiptuar dënimin me burgim prej 1 vjet e gjashtë muajve.

Sipas aktakuzës në nëntor të vitit 2005, në Magjistralen Ferizaj-Prishtinë, në hyrje të Prishtinës, afër pompës së benzinës “Kosova Petrol”, derisa i pandehuri ishte duke e drejtuar automjetin, duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes kushteve në rrugë, ka humbur kontrollin ndaj automjetit dhe ka kaluar në shiritin e majtë në drejtim të lëvizjes së tij dhe me pjesën anësore të anës së djathtë, ka goditur shtyllën e metalit elektrike, e cila ishte e vendosur në ndarjen fizike të rrugës, ku për një moment e ka kapluar zjarri automjetin me ç’rast i pandehuri dhe pasagjerët Visar Munishi dhe Kushtrim Hajrullahu arrijnë të dalin nga vetura ndërsa tani e ndjera Zana Hyseni e cila ishte e ulur në pjesën e pasme të veturës në anën e djathtë pasi që nuk ka mundur të dalë nga automjeti ishte djegur tërësisht.