Një vit burg për avokatin në Pejë, 3 vjet ndalesë e veprimtarisë

Gjykata në Pejë ka shpallur fajtor avokatin Naser Husaj, nën arsyetimin se ai më 1 gusht të vitit 2018 në Prokurorinë Themelore në Pejë, me dashje ka bërë lajmërim të rremë te personi zyrtar i ngarkuar me detyrën për të hetuar apo ndjekur ndaj një ish-gjyqtari të Gjykatës së Pejës.

Sipas njoftimit të Gjykatës, avokati e ka ditur se i dëmtuari nuk është kryes i veprës penale për të cilën e ka paraqitur.

“Ndaj të pandehurit N.H gjykata shqiptoi dënim me burgim në kohëzgjatje prej një viti dhe dënim plotësues ndalimi i ushtrimit të profesionit, veprimtarisë ose detyrës në kohëzgjatje prej tre vite”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Për realizimin e kërkesës pasurore juridike, i dëmtuari është udhëzuar në kontest të rregullt juridiko civil.

I pandehuri është obliguar që në emër të shpenzimeve të paushallit gjyqësor ta paguaj shumën prej 40 eurove, si dhe në emër të kompensimit për viktimat e krimit shumën prej 30 eurove.