Naime Beqiraj fituese e çmimit 'Poezia më e bukur' në Netët Korçare të Poezisë

Poezia “Gjergji im” e Naime Beqirajt ka marrë çmimin “Poezia më e bukur” e Netëve Korçare të Poezisë.

Këtë çmim poetja kosovare Naime Beqiraj e mori  në kuadër të edicionit të katërt të festivalit Netët Korçare të Poezisë, “Skënder Rusi”, që u mbajt nga 1 deri më 3 qershor në qytetin e Korçës.

Ky aktivitet është organizuar nga Biblioteka Publike ‘Thimi Mitko’ në bashkëpunim me Klubin e Shkrimtarëve ‘Bota e Re’ dhe me mbështetjen e Qendrës së Artit dhe Kulturës së Bashkisë së Korçës.

Përveç çmimit “Poezia më e bukur”, organizatorë ndanë edhe disa çmime tjera.

Çmimin kryesor të këtij aktiviteti “Kurora e poezisë” e mori amerikani George Wallace, çmimi “Dritero Agolli” iu nda poeteshës Sema Guler nga Turqia, çmimi “Asdreni” i takoi përkthyesit dhe shkrimtarit Agron Tufa, ndërsa Çmimin Special e fitoi poeti i ri Albi Lushi.

Gjatë tri ditëve sa u zhvillua ky aktivitet, ndër më prestigjiozët në botën letrare shqiptare, u mbajtën edhe shumë ngjarje duke e kthyer Korçën në qendër të artit dhe të kulturës.

Edhe këtë vit u zhvillua mbjellja e një peme me ç’rast ishte zgjedhur shkrimtarja dhe botuesja Flutura Açka si e ftuar nderi me mbjelljen e pemës simbolike me emrin e saj në “Lëndinën e Poeteve”.

Kjo ngjarje e riktheu qytetin në pikë reference për poetët e përzgjedhur nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Serbia, Zvicra, Greqia, Holanda, Vjena, Turqia dhe ShBA, si:  Flutura Açka, Petrit Ruka, Agron Tufa, Entela Kasi, Sadik Bejko, Naime Beqiraj, Ndue Ukaj, Lucilla Trapazo, Iskra Peneva, Sema Guller, George Wallace, Craig Cyurz, etj.