Foto: Mehmet Akif College/ Facebook

MPB Thotë se Revokoi Lejeqëndrimet e Zyrtarëve të "Mehmet Akif" për Siguri Kombëtare

Ministria e Punëve të Brendshme ka sqaruar përmes një komunikate se ua ka revokuar lejet e qëndrimit për shtetasit e Turqisë.

MPB-ja thonë se Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migracion ka vepruar në bazë të ligjit për të huajt.

“Ju njoftojmë se Ministria e Punëve të Brendshme,  përkatësisht Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migracion  në bazë të mandatit të saj për zbatimin e ligjit për të huajt, ka revokuar lejet e qëndrimit për shtetasit të Turqisë. Duke iu referuar rasteve konkrete Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migracion ka vepruar në bazë të Ligjit për të Huaj dhe mandatit që ka për shqyrtimin dhe vendosjen e  të gjitha kërkesave që kanë të bëjnë me lejeqëndrim”, thuhet në komunikatën e MPB-së.

Ata janë thirrur në nenin 6 të ligjit për të huajt ku flet për refuzimin apo revokimin e lejes së qëndrimit.

“Kontrollet e sigurisë për të huajt për qëllime të përcaktimit të arsyeve që lidhen me sigurinë shtetërore kryhen nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (në tekstin e mëtejmë AKI), siç është përcaktuar në nenin 2 të Ligjit mbi Agjencinë Kosovare të Inteligjencës”, thuhet në pikën 1 të nenit 6 të ligjit për të huajt.

Ligji thotë se këto vendime merren për arsye të sigurisë shtetërore dhe si pasojë nuk jepen arsyetime.

“Në raste të refuzimit apo revokimit të leje qëndrimit të të huajit për arsye që ndërlidhen me sigurinë shtetërore, lëshohet vendim pa arsyetim lidhur me rrethanat për të cilat është nxjerrë ky vendim”, thuhet në pikën 2 të nenit 6 të ligjit për të huajt.

“Pas nxjerrjes së vendimit për revokim të lejes së qëndrimit, është njoftuar Policia e Kosovës si organ kompetent për ekzekutimin e këtyre vendimeve. Pas revokimit të leje qëndrimit, qëndrimi i mëtejmë i këtyre qytetarëve konsiderohet i jashtëligjshëm”, thuhet tutje në komunikatën e MPB-së.

Palët e pakënaqura kanë të drejtë ankesë sipas Ligjit për Procedurën Administrative.

KALLXO.com shkroi sot për arrestimin e pesë shtetasve turq, disa prej tyre zyrtarë të Kolegjit “Mehmet Akif”.

Kolegji konfirmoi se të arrestuar janë: drejtori i përgjithshëm i Kolegjit “Mehmet Akif”, Mustafa Erden; zëvendësdrejtori i përgjithshëm, Yusuf Karabina; drejtori i shkollës në Gjakovë, Karaman Demirez; Cihan Oskan dhe Hasan H. Gunakan.

Arrestohen Pesë Zyrtarë të Kolegjit ‘Mehmet Akif’ në Kosovë

Drejtori i Kolegjit ‘Mehmet Akif’ në Lipjan, Nazmi Ulus, tha për KALLXO.com se shtetasit turq të arrestuar kanë pasur leje të qëndrimit në Kosovë deri në vitin 2022.

Drejtori Flet për Arrestimet e Stafit të Kolegjit ‘Mehmet Akif’ në Kosovë

Në fund të tetorit të vitit të kaluar, Policia e Kosovës kishte arrestuar shtetasin turk Ugur Toksoy bazuar në një fletarrest të autoriteteve turke.

Por kërkesa për ekstradimin e tij në Turqi nuk ishte realizuar pasi prokurori i rastit, Ali Rexha, ishte tërhequr nga kjo kërkesë.

Tërhiqet Kërkesa për Ekstradim të Ugur Toksoy-t