Mërgimtarit nga Finlanda i Lirohet Prona e Uzurpuar
Pas më shumë se katër vjet përballje në gjykatë, mërgimtari Nexhat Kastrati është vendosur në pronën që e kishte blerë nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.
Mërgimtari nga Finlanda, i cili vendosi që kursimet e tij disavjeçare t’i investojë në Kosovë, u bë i njohur pasi vendosi ta bëjë publik rrëfimin e tij për kërcënimet dhe shantazhet gjatë privatizimit dhe pengesat që i bëheshin nga uzurpatorët.
“Kam pasë vështirësi sepse 5 vite e sheh dikën duke e shfrytëzuar pronën tënde, e sheh dikën tjetër tu punu, tu e shfrytëzuar pronën time është shumë e rëndë. E paguan me të hollat tua, e privatizon objektin nga AKP-ja dhe s’mund e shfrytëzon afër 5 vite’’, tha Kastrati, i cili ka shtuar së tash po ndihet më i relaksuar që e ka zgjidhur problemin.
“Së pari e falënderoj emisionin “Drejtësia në Kosovë” që e ka bo programin në muajin nëntor 2012 dhe ai program e ka shpejtuar lëndën dhe EULEX-i e ka marrë në shkallën e parë dhe e ka përfunduar në favor timin. Mirëpo, Kasim Beqiri ka bërë ankesë në Gjykatën e Apelit dhe e ka shtyrë deri tash. Por, më në fund gjithçka përfundoi”, theksoi Kastrati.
Në vitin 2012 mërgimtari nga Finlanda kishte privatizuar lokalet e ndërmarrjes shoqërore “Ylli” në Mitrovicë.
Gjatë procesit të ofertimit, Kastrati ka rrëfyer për mesazhet kërcënues që kishte marrë me porositë që të tërhiqej nga blerja e lokalit.
Po ashtu, në një bisedë për “Drejtësia në Kosovë”, Kastrati kishte bërë publike faktin se Agjencia e Privatizimit kishte marrë paratë e tij, por nuk është kujdesur që nga lokali ta nxjerrë jashtë uzurpatorin Kasim Beqiri.
Ky i fundit ka vendosur të largohet nga lokali vetëm pas disa vendimeve të gjykatës.
Avokati i Beqirit, Osman Haliti, tha për KALLXO.com se Kastratit së bashku me çelësat e lokalit i janë paguar edhe kësti i parë i borxhit për fitimin e humbur.
Rrëfimi i Nexhat Kastratit, i publikuar në vitin 2012, mund të ndiqet në linkun e mëposhtëm.