Fundi i Uzurpimeve në Qendër të Mitrovicës

Gjykata e Apelit e ka thënë fjalën e saj të fundit në diskutimet për uzurpimin e marketit “Florenti” në qendër të Mitrovicës.

Sipas vendimit të Gjykatës, Kasim Beqiri i ka 15 ditë afat që t’i bartë plaçkat e tij nga “Florenti” dhe t’ia lirojë pronën mërgimtarit Nexhat Kastratit.

Prona, e cila sipas Gjykatës u mbajt pa të drejtë nga Beqiri, ishte privatizuar në vitin 2012 nga mërgimtari Nexhat Kastrati, i cili për blerjen e objektit kishte paguar rreth 200 mijë euro.

Në vitin 2012, emisioni “Drejtësia në Kosovë” solli rrëfimin e mërgimtarit nga Finlanda, i cili edhe përkundër pagesës së parave në konton e AKP-së nuk lejohej të ketë qasje në pronën e blerë. Pesë vite pas këtij rrëfimi dhe një beteje të gjatë gjyqësore Kastratit i është hapur rruga për të hyrë në pronën e tij.

“Dje jam ftuar me marrë aktgjykimin e shkallës së dytë rreth lëndës së klientit tim Nexhat Kastrati që ka të bëjë me një lokal që është i uzurpuar që gati pesë vite dhe për fat të mirë është vërtetuar me aktgjykim nga shkalla e dytë”, thotë avokati i Kastratit Ramë Dreshaj.

Sipas tij, nëse në afat prej 15 ditësh vendimi i Gjykatës nuk zbatohet atëherë organet shtetërore duhet të ndërmarrin edhe masat të dhunshme.

Nga ana tjetër, të apostrofuarit si uzurpatorë thanë për KALLXO.com se nuk kanë vendosur nëse do e lirojnë lokalin sipas vendimit të Gjykatës së Apelit.

Osman Haliti, avokati i Kasim Beqirit, nuk tregoi se a do ta lirojnë lokalin apo jo. “Nuk e di njëherë sepse ne jemi edhe në një tjetër proces gjyqësor në Skenderaj për kompensim dëmi dhe të shohim si po përfundon ai proces”, theksoi Haliti.

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” pati raportuar disa herë rastin e marketit “Florenti” . Herën e fundit raportoi në dy emisione të ndara kur foli për listat e uzurpatorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Ndër të tjera, Nexhat Kastrati është edhe në dy procese të hapura në Gjykata, përfshirë edhe rastin penal ku të akuzuar për kërcënimet ndaj tij janë ish-komandanti i UÇK-së në Zonën e Shalës Bekim Shyti dhe i padituri Kasim Beqiri.