Marrëveshje për Certifikatat ADR Dhe Kërkim-Falje e Gjuriqit

Lajmin për marrëveshjen rreth certifikatave për materialet e rrezikshme e bën të ditur Zyra për Komunikim Publik në Kryeministri.

“Me ndërmjetësimin e BE-së në Bruksel pas bisedimeve maratonike dhe në një atmosferë të rëndë dhe të tensionuar, rreth orës 3:30 pas mesnate është arritur marrëveshja për njohjen reciproke të certifikatave për transportin e mallrave të rrezikshme ADR në mes të dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë,” thuhet në komunikatë.

Certifikatat ADR janë vërtetime për vozitësit dhe maunat e transportimit të materialeve të rrezikshme që tregojnë se ata dhe ato janë të certifikuar për vozitjen dhe transportin e tyre.

Kosova më 21 mars vendosi masa reciprociteti ndaj transportuesve serbë të naftës dhe gazit, pasi Serbia nuk i njihte certifikatat ADR të lëshuara nga Kosova.

Më shumë se një javë pasi Kosova vendosi këto masa, KALLXO.xcom shkroi për humbjet në doganë nga mosdoganimi i maunave serbe me gaz dhe naftë. 

Komunikata e Kryeministrisë bën të ditur se marrëveshja për certifikatat hyn në fuqi më 25 prill dhe të njëjtën ditë Kosova do të heqë masat e reciprocitetit ndaj transportuesve serbë të mallrave të rrezikshëm.

“Marrëveshja në fjalë hynë në fuqi nga data 25 prill 2016 si dhe zbatimi i saj është i garantuar nga Bashkimi Evropian si ndërmjetës i dialogut të Brukselit. Delegacioni i Qeverisë së Kosovës ka konfirmuar se në ditën kur hyn në fuqi kjo marrëveshje atëherë në po të njëjtën ditë do të hiqen masat e reciprocitetit të vendosura nga Qeveria e Republikës së Kosovës,” sqaron komunikata.

Komunikata e Zyrës së Kryeministrit njofton se Marko Gjuriq, drejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë ka kërkuar falje për hyrjen pa lejen e institucioneve kosovare ne Kosovë.

“Në këtë kuadër, me kërkesë të BE-së që palët të angazhohen për frymën e normalizimit  dhe pas kërkim-faljes nga ana e z. Marko Gjuriq për hyrje ilegale në Kosovë, palët janë zotuar që të respektohet marrëveshja për vizitat reciproke të zyrtarëve si dhe deklarimet duhet në mënyrë rigoroze të respektojnë frymën e normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve,” thuhet në komunikatë.

Përveç arritjes së marrëveshjes për certifikatat ADR, në Bruksel sipas komunikatës u diskutua edhe për ndalimin e letërnjoftimeve të lëshuara nga strukturat paralele.

Ndalimi i letërnjoftimeve sipas Edita Tahirit ka hyrë në fuqi më 18 prill.

Komunikata bën me dije se “BE-ja ka kërkuar që të krijohet një hapësirë kohore tranzicioni në mënyrë që edhe ky problem [rreth letërnjoftimeve] të zgjidhet sa më shpejt,

Ministrja për dialog Edita Tahiri udhëtoi në Bruksel të hënën.