Kreu i Listës Serbe, Slavko Simiq | Foto: Facebook

Lista Serbe për Vazhdimin e Seancës

Përfaqësuesi i Listës Serbe, Slavko Simiq, tha se qëllimi politik i këtij subjekti politik është që të formohen institucionet e vendit të dala nga zgjedhjet e 11 qershorit.

Në takimin konsultativ që po mbahet në ndërtesën e Kuvendit, Simiq u shpreh se ky subjekt nuk dëshiron të bëhet pjesë e, siç e quajti ai, lojës politike.

“Është mirë që kemi propozim konkret për mbajtjen e seancës. Lista Serbe nuk ka marrë pjesë në vazhdimin e seancës jo sepse e kemi bojkotuar seancën por nuk kemi dashur të jemi pjesë e lojës politike për të bërë spektakël politik”, tha Simiq.

“Lista Serbe do ta marrë përgjegjësinë për t’i formuar institucionet dhe për ta pasur anëtarin e kryesisë së Kuvendit”, shtoi Simiq.

Koalicioni PAN e ka propozuar 24 gushtin si datë për vazhdimin e seancës së Kuvendit.