Shënimi i Ditës Botërore Kundër Kancerit | Foto: KALLXO.com

Kosova Trefish më pak Raste të Kancerit se Rajoni

Në shënimin e Ditës Botërore Kundër Kancerit u tha se mosha e re e popullsisë kosovare ka ndikuar që Kosova të ketë rreth 3 herë më të vogël  numrin e të prekurve nga kanceri krahasuar me vendet e tjera të  regjionit.

“Ne e kemi numrin afërsisht tre herë më të vogël sesa ato shtete. Kjo është shumë me rëndësi të cekim se kjo ka ndikim shumë të madh, në Kosovë dominon mosha e re dhe kanceri në moshë të re është më tepër sporadik,” tha Ekrem Hyseni, drejtor i Klinikës së Onkologjisë.

Hyseni tha se në vitin 2016 janë shënuar 50 për qind më shumë raste të prekjes nga kanceri, por tha se kjo ka ndodhur për shkaktë rritjes së vetëdijesimit të njerëzve.

“Viti 2016 ka shënuar një rritje prej 50 për qind nga viti paraprak për personat e prekur nga kanceri, por që në të vërtetë nuk është rritje shqetësuese, sepse më tepër ka të bëjë me shtim të raportimit sesa me rritje reale,” tha onkologu Hyseni.

Kurse Arben Bislimi, kryetar i Shoqatës së Onkologëve tha se Dita Botërore Kundër Kancerit  shërben si një stimulim i institucioneve për një trajtim më të dinjitetshëm të të prekurve me kancer dhe detektim më të hershëm të kësaj sëmundjeje.

“Kjo datë përveçse bëhet për rritjen e ndërgjegjësimit të popullatës për këtë sëmundje, është edhe një stimul për qeverinë, për organet vendimmarrëse që ta rrisin fokusin që këta të sëmurë të kenë një trajtim më të dinjitetshëm, por edhe të rritet fokusimi në kuadër të programeve për me detektu herët këtë sëmundje,” tha Bislimi.

Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Kancerit Shoqata e Onkologëve të Kosovës dhe Klinika e Onkologjisë në Sheshin “Zahir Pajaziti” shpërndanë edhe broshura me këshilla se si qytetarët t’i detektojnë herët këto sëmundje malinje.

Vitin e kaluar në Ditën Botërore Kundër Kancerit u tha se janë shtuar rastet me këtë sëmundje në Kosovë.

http://kallxo.com/kanceri-armik-ne-rritje/

Para dy vjetësh pikërisht në ditën kur zhvillohen aktivitetet vetëdijesuese dhe parandaluese ndaj kancerit, në Kosovë mungonin barnat që përdoren për këtë sëmundje.

http://kallxo.com/kosova-pa-citostatike-ne-diten-boterore-kunder-kancerit/

Redaktoi: Bekim Muhaxheri