Kërkoi Para për t'ia Hequr Foton nga Facebook

Një 20 vjeçar nga rajoni i Ferizajt ka pranuar se ka shantazhuar një  femër të mitur duke postuar një foto në rrjetin social Facebook, bën të ditur Policia e Kosovës.

Ai ka postuar këtë foto për disa ditë rresht dhe për heqjen e fotografisë, sipas policisë, ka kërkuar  15 mijë euro nga vëllai i viktimës.

Policia e Kosovës ka arrestuar të dyshuarin me inicialet I.L nën dyshimet e shantazhit dhe ky i fundit ka pranuar veprën e tij gjatë intervistimit.

Me urdhër të Prokurorit ndaj të dyshuarit është shqiptuar masa e mbajtjes për 48 orë.