Laura Krekaj - Kapiten

Kapitenia që nuk mendon ta braktisë Policinë - VIDEO

Për gati dy dekada, Kapiten Laura Krekaj i ka shërbyer uniformës në pozita të ndryshme si, në njësi patrulluese, si shef i ndërrimit, shef i operativës, Komandant i Trafikut në Gjakovë, por ende nuk mendon se ka dhënë maksimumin e saj për të lënë institucionin e saj.

Në Policinë e Kosovës ajo ishte inkuadruar në vitin 2000 ndërsa për KALLXO.com ajo ka treguar disa nga eksperiencat e saj që ja në shënuar gjatë karrierës së saj.

Kapiten Laura Krekaj, ka pozitën e Shefit të Sektorit të Operativës në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë në Gjakovë, tregon se pse i ishte bashkëngjitur policisë.

“Arsyeja është që gjithmonë më ka pëlqyer të jep pjesë e uniformës së Policisë së Kosovës dhe të jem pjesë e komunitetit për zgjidhjen e problemeve të cilat kanë të jem në përkrahje të tyre”, tregon ajo.

Krekaj asnjëherë nuk kishte menduar se do të mbërrinte në pozitën që ka tani.

“Të them të drejtën dua të jem e sinqertë, nuk kam menduar që mundem me arrit kaq shumë por dita ditës duke pa rezultatet e mia përkrahjen e eprorëve të mi dhe profesionalizmin që kam dëshmu mendoj që kam arrit atë që kam dashur”, shton ajo.

Gjithashtu  Kapiten Krekaj tregon se a e ka të vështirë komandimin e gjinisë së kundërt, ndërsa rrëfim edhe një përvojë të saj pas marrjes së një pozite.

“Të them të drejtën që ditën e parë që kam marrë gradën e parë si rreshter jam caktuar shef i ndërrimit dhe në mesin e tyre kisha vetëm dy femra police pjesën tjetër të gjithë meshkuj. Dikush më mirëpriti dikush jo por për mua janë të njëjtë si femrat ashtu edhe meshkujt”, tregon ajo.

Barazia që i është dhënë edhe grave por edhe burrave në Policinë e Kosovës ka bërë që Krekaj të tregoj se e ka merituar gradën që ka tani atë të Kapitenit.

“Gradën që tani posedoj e kam me meritë jo pse jam femër, pasi që këtu në Policinë e Kosovës nuk ka dallime të gjithë jemi të njëjtë dhe të barabartë”, thotë ajo.

Puna në polici sipas Kapiten Laura Krekaj është edhe e lehte edhe sfiduese.

“Të them të drejtën aq sa është e lehtë është edhe sfiduese, pasi që jemi edhe familjar mirëpo në momentin që vijmë në punë duhet të llogarisim që kemi përgjegjësi të mëdha sidomos duke e llogaritur që është në pyetje jeta e njeriut dhe ne gjithnjë duhet ti përgjigjemi komunitetit”, tregon tutje Krekaj.

Ajo tregon edhe për saktësinë në gjuajtje me armë.

“Po për arsye se i nënshtrohemi ri – certifikimeve, trajnimeve të ndryshme dhe jam e saktë”, thotë ajo.

Krekaj tregon edhe momentet e para kur ka mbajtur revolen për herë të parë.

“Hera e parë kur kam pasur revole ka qenë viti 2000 kur jam bërë pjesëtare e Policisë së Kosovës, një ndjenjë e pa përshkruar me plot emocione, kur unë personalisht e dija që me këtë armë do të shpëtoja jetë dhe jam në sigurinë e qytetarëve të popullit tim është një ndjenjë dhe kënaqësi e veçantë”, rrëfen ajo.

Kapiten Krekaj tregon edhe njërën nga përvojat e saj që i ka mbetur në mend gjatë karrierës së saj gati dy dekadash.

“Unë ka punuar në njësi të ndryshme duke filluar nga njësia patrulluese, shef i ndërrimit, komandant i trafikut kam pasur pozita të ndryshme, mirëpo jam ballafaquar me shumë raste të ndryshme kur ka qenë në pyetje edhe jeta e njeriut. Po e tregoj një ngjarje, ka qenë një grup i armatosur  ishte ora 2  e mëngjesit dhe pranuam një informatë që disa persona të maskuar kanë bërë një pikë kontrolli dhe një qytetar u ka ikur  të dyshuarve, kam arritur më shpejt së që është menduar dhe e kemi gjet viktimën aty i cili ka qenë i plagosur, ka qenë një ndjenjë shumë e keqe për arsye që personi  ishte vetëm i plagosur dhe i vinte era barut në trupin e tij. Kemi arritur që ta tërheqim personin dhe ta vejmë situatën në kontroll”, rrëfen ajo.

Ajo mendon që edhe pse gati dy dekada ka karrierë në profesionin e saj ka ende çka të jap për institucionin që punon.

“Asnjëherë nuk e kam mendu as që do ta mendoj që ta lë Policinë e Kosovës. Mendoj se kam çka jap në institucionin tim dhe uroj ta pres pensionin”, thotë ajo deri sa më tutje shpjegon se cili është vizioni i saj në Policinë e Kosovës.

“Vizioni im është të shoh femrat në Policinë e Kosovës, në pozita sa më të larta udhëheqëse të shoh femra të tjera të jenë pjesë e Policisë së Kosovës, të punojmë dinjitetshëm dhe të jemi gjithmonë në përkrahje dhe në mbrojtje të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, përfundon tregimin e saj për karrierën e saj gati 20 vjeçare.