Ilustrim

Fotografi dhe dyshime për dhunë policore në Gjakovë, suspendohet një komandant

Një polic është suspenduar nga detyra e tij për shkak se dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një të arrestuari në Gjakovë.

Mëngjesin e sotëm, KALLXO.com ka pranuar një raportim nga prindi i B. H. i cili tregoi se djalin e tij ia kishin rrahur disa zyrtarë policorë në stacionin e Policisë në rajonin e Gjakovës.

Qyetari ka dërguar edhe fotografi të djalit të tij të gjakosur brenda stacionit të Policisë.

Lëndimet e B. H. të marra gjatë dhunës së ushtruar nga zyrtarë policor, Foto: KALLXO.com
Lëndimet e B. H. të marra gjatë dhunës së ushtruar nga zyrtarë policor, Foto: KALLXO.com

Një raportim të tillë, KALLXO.com e ka dërguar në Inspektoratin Policor të Kosovës. Pas informimit të IPK-së në lidhje me këtë rast menjëherë janë ndërmarrë masat e para.

Në një përgjigje të shkurtë për KALLXO.com, IPK ka njoftuar se kishte marrë edhe raportimin e qytetarit.

“Inspektorati Policor i Kosovës ju konfirmon se ka pranuar ankesën nga qytetari në fjalë lidhur me sjelljet e zyrtarëve policorë. Hetuesit e IPK-së janë duke ndërmarrë veprime hetimore për të zbardhur rrethanat e këtij incidenti”, thuhet në përgjigjen e IPK-së për KALLXO.com.

Polici, i cili sipas prindit dyshohet se kishte ushtruar dhunë ndaj të arrestuarit, është suspenduar para pak orësh.

Arsyetimi i dhunës së ushtruar ndaj të arrestuarit B. H. ishte se ky i fundit kishte sulmuar një zyrtar policor gjatë kohës sa ishte duke u marrë në pyetje.

Në lidhje me suspendimin KALLXO.com ka kontaktuar edhe me drejtorin rajonal të Policisë në Gjakovë, Lumni Graishta.

“Ka qenë një rast i raportuar mbrëmë për shantazh dhe fotografim e incizim i pa autorizuar. I dyshuari pas intervistimit në polici në Gjakovë ka sulmuar fillimisht ka sulmuar një zyrtar policor, e policët e tjerë kanë reaguar për me vu situatën në kontroll. Dyshohet që policët gjatë vënies në kontrollë të situatës kanë përdorur forcë ndaj të arrestuarit sot është suspenduar shefi i ndërrimit dhe rasti është përcjellë në Inspektoratin Policor të Kosovës”, tha Drejtori Graishta.

Griashta tregoi edhe se në lidhje me rastin ka qenë i informuar edhe prokurori i shtetit në Gjakovë.

KALLXO.com ka kontaktuar me avokatin e B.H., Meshari Selimaj i cili shpjegoi edhe se si kishte ndodhur rasti.

“I mbrojturi im është  deklaruar para prokurorit për vepër penale fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara dhe veprën penale sulm ndaj personit zyrtar”, tha avokati Selimaj.

Ai shtoi se sa i përket veprës së ngarkuar ndaj të mbrojturit të tij, do të sqarohet në gjykatë pasi që i B.H. kishte publikuar një fotografi të së dashurës së tij.

“Sa i përket veprës penale të dytë ku pretendohet se i i mbrojturi im ka sulmuar zyrtarin policor, i dëmtuari S. A, është situatë tejet e paqartë, pasi në fakt i demtuar është i mbrojturi im i cili  ka disa lëndime në trup dhe një lëndim në kokë, të cilat pohon se i kanë ardhur nga disa zyrtar policor në kohën kur po intervistohej në Stacionin Policor në Gjakovë, meqë rast ka marre trajtimin pranë Spitalit “Isa Grezda” ne Gjakovë”, tha avokati tutje.

KALLXO.com gjithashtu ka siguruar edhe fotografi të të arrestuarit B.H., ku shihen edhe lëndimet e marra në kokë për shkak të dhunës së ushtruar nga ana e zyrtarëve policorë.

KALLXO.com gjithashtu mëson se i njëjti polic disa muaj më herët është rikthyer në punë pasi që i njëjti ka qenë i suspenduar për shkak të arratisjes së një të ndaluari. Gjithashtu i njëjti zyrtar policor sipas informatave të KALLXO.com ka edhe raste të tjera në IPK për incidente të kësaj natyre me qytetarë.

Lëndimet e B. H. të marra gjatë dhunës së ushtruar nga zyrtarë policor, Foto: KALLXO.com