Jakup Krasniqi - Foto: KALLXO.com

Jakup Krasniqi rrëfen si u formua delegacioni kosovar për konferencën e Rambujesë

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup, Christopher Hill, ishte i ngarkuar që të formonte delegacionin kosovar për konferencën e Rambujesë.

Kështu ka thënë njëri nga anëtaret e delegacionit të kësaj konference, Jakup Krasniqi.

Në një intervistë për KALLXO.com, ai tha se nga pesë anëtarë kishin të drejtë t’i kishin LDK, LBD e atëhershme dhe përfaqësuesit e UÇK-së, ndërsa dy anëtarë kanë qenë nga të pavarurit.

“Duhet të themi se një kontribut të veçantë në formimin e grupit në formatin e vet, ka pasur ambasadori i ShBA-së në Shkup, Christopher Hill, i cili ka qenë i ngarkuar për këtë çështje. Ai ka biseduar me të gjitha palët, edhe me Lidhjen Demokratike të Kosovës, me LBD-në, që ishte një ndarje nga LDK, ishin të pavarurit Veton Surroi dhe Blerim Shala dhe ishte grupi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha ai.

Sipas Krasniqit, dallime kishte ndërmjet anëtarëve të delegacionit, por pas 20 viteve duhet të shihen vetëm rezultatet.

“Kishte dallime politike në mes këtyre grupacioneve politike, por e rëndësishme është që kur ishte çështja e interesit të vendit, ishim mjaft të unifikuar. Sot mund të dalin zëra e të merren me detaje të imta, por në këtë distancë kohore nuk shikohen detajet, shikohen rezultatet, dhe rezultatet po them edhe një herë se ishin më shumë se pozitive”, tha ish- zëdhënësi i UÇK-së.

Ai thotë se u kishte munguar përvoja për bisedime të nivelit të lartë, por për këtë kishin angazhuar ekspertë vendorë e ndërkombëtarë.

“Ishte një mungesë e përvojës për palën tonë, në përgjithësi jo vetëm për pjesëtarët e UÇK-së. Të gjithë nuk kishim ndonjë përvojë të konferencave, asnjë nuk ishte prej atyre që kishte marrë pjesë në një konferencë në mënyrën më serioze në asnjë çështje, mos të flasim për çështjen e Kosovës”, thotë Krasniqi.

Njëri nga ekspertët që e ndihmoi ekipin e delegacionit kosovar në konferencën e Rambujesë ishte amerikani, Marc Weller.

“Kishim ekspert ndërkombëtar dhe vendor dhe mund të them i një rëndësisë të veçantë ishin ekspertët nga bota e perëndimit. Njëra nga ta ka shkruar edhe një libër të mirë për shtetësinë e Kosovës, Marc Weller, një njohës i mirë i këtyre konferencave në nivel ndërkombëtar, mendoj që ai ka pasur një rol të rëndësishëm por edhe ne e kemi shfrytëzuar profesionin e tij, eksperiencën e tij dhe gatishmërinë e tij për të na ndihmuar”, thotë ai.