Organizata "Oxfam" - Foto: REL/AFP

Ish-Drejtori i ‘Oxfam’ Mohon se Ka Paguar për Seks

Ish-drejtori i organizatës bamirëse britanike “Oxfam”, i akuzuar për punësimin e prostitutave gjatë punës në Haiti dhe në Çad, ka mohuar se ka paguar për seks, por ka pranuar se ka pasur disa “gabime”.

Në një letër të hapur, Roland Van Hauwermeiren, 68 vjeç, ka mohuar se një pritje që ka organizuar në Haiti, ka qenë “mbledhi për seks”, ashtu siç dyshohet.

Ai ka thënë se ka pasur “marrëdhënie intime” me një grua në Haiti, porse ajo “nuk ka qenë prostitutë”.

“Oxfam”, një nga organizatat më të mëdha të ndihmës në Britaninë e Madhe, ka qenë subjekt i një artikulli në gazetën “Times”, javën e kaluar.

Gazeta britanike e ka akuzuar atë për fshehjen e gjetjeve të një hetimi më 2011, sipas të cilave, punonjësit e ndihmës në Haiti kanë paguar prostituta lokale për seks.

“Oxfam” ka qenë duke ofruar ndihma në Haiti, pas një tërmeti shkatërrues që ka goditur këtë vend në vitin 2010, duke lënë mbi 200,000 njerëz të vrarë.

Skandali e ka vënë “Oxfam”-in në rrezik të humbjes së fondeve nga Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Europian. (REL)