Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, Foto: KALLXO.com

Hoxha: Jemi duke diskutuar me ministrat nëse do t’i marrim pagat me rritje

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha ka thënë se është duke diskutuar me ministrat e tjerë për të vendosur nëse do t’i marrin pagat me rritje.

“Sa i përket çështjes së pagave, patjetër që këtë jemi duke e diskutuar me ministrat dhe do të marrim një vendim në lidhje me këtë dhe do t’ju informojmë”, ka theksuar Hoxha.

Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se vendimi i qeverisë për rritjen e pagave të stafit politik, duke përfshirë edhe anëtarët e kabinetit qeveritarë, nuk bie ndesh me Kushtetutën.

Kështu ky vendim menjëherë është rikthyer nga kryeministri Haradinaj me 12 qershor, kabineti i të cilit u ka kërkuar ministrive që t’i përgatisin listat e atyre që përfitojnë nga vendimi për rritjen e pagave.

Ministri i Financave, Bedri Hamza së bashku me 7 këshilltarë të tij nuk e kanë pranuar pagën me rritje.

“Ministri Hamza ka kërkuar që të mos e marrë pagën me rritje dhe s’po dëshiron me shftytëzu këtë të drejtë. Njëjtë edhe 7 këshilltaret e tij, nuk po dojnë me shfrytëzu pagën me rritje”, tha për KALLXO.com Lulzim Rafuna, këshilltar i ministri Hamza.

Edhe pse i kanë kryer të gjitha procedurat që zyrtarëve qeveritarë t`u dalin pagat me rritje, vet drejtuesi i Ministrisë së financave, Bedri Hamza me këshilltarët e tij po refuzon ta marr këtë pagë të lartë.

Në një konferencë për media, kryeministri Haradinaj nuk e konsideroi ‘burrni’ vendimin e Hamzës duke thënë se vendimi i kushtetueses i detyron ata të marrin rrogat e rritura.

“Ministri i Financave ka deklaruar në takime zyrtare që do ta respektoj vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Tani edhe sikur mos të dojshim na, nuk kemi qare pa e respektuar atë vendim. Nëse don Ministri i Financave me qenë burri më i mirë i qeverisë së Kosovës, zotri Hamza le të ndihmon përshpejtimin e Ligjit për nivelizimin e pagave, le të na përkrahë në rritje të pagave, le të jetë më vizionar. Qasja e tij nganjëherë është e pakuptimtë”, kishte thënë Haradinaj.

Me vendimin për rritjen e pagave, paga e kryeministrit nga 1,500 euro sa ka qenë, do të rritet në 2,950 euro, kurse e zëvendëskryeministrave nga 1,300 euro, në 2,500 euro.

Paga e një ministri ka qenë rreth 1,200 euro, ndërkaq, sipas këtij vendimi, tani do të jetë 2,000 euro. Kurse, mbi 70 zëvendësministra, të emëruar në qeverinë Haradinaj, do të pranojnë pagë mujore prej 1,150 euro.

 

https://kallxo.com/hoxha-rekomandimi-per-liberalizimin-e-vizave-para-pushimit-te-veres/