Hoti: Kjo qeveri është marrë peng dhe ideja e shkëmbimit të territoreve është tragjike

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti në tryezën e moderuar nga Jeta Xharra, “Loja me Kufij: Luftë apo Zgjidhje në Ballkan?” tha se LDK-ja këtë qëndrim e ka tash e tri dekada dhe nuk guxojmë të bëjmë debat për shkëmbim territoresh pasi kjo i takon vetëm sovranit dhe askujt tjetër.

Hoti tha se kjo ide për shkëmbim territoresh buron nga lidershipi i Serbisë është ide e Lindjes Beogradit dhe Moskës.

“Ajo që do të dëgjoni prej meje është qëndrim i LDK dhe nuk do të dëgjoni ide kreative por është qëndrim i LDK tash e tri dekada. Kjo frazë është paraqitur qindra e mijëra herë por më besoni që është formula e stabilitetit në Ballkan. Kosova si shtet i pavarur është kompromis për një shtet të pavarur por është kompromis për balancë në Rajon dhe tash nuk guxojmë me bo pazare me territore. Tash i kemi mbi 100 njohje, kemi ngecur në njohjet ndërkombëtare tash e tri vjet por kjo nuk është se kemi ngecur në shtet formimin, është fakt se nuk e kemi kontrollin me Mitrovicën por edhe kjo nuk na jep të drejtë më diskutua për territorin dhe me vendos në hartën e territoreve”, tha Hoti.

Ai ritheksoi se si LDK nuk janë kundër dialogut mirëpo sipas tij do duhej të bëhej në mënyrë të mençur.

“Kjo është ide tragjike dhe është ide e presidentit ThaçI. ne kemi kërkuar nga Kuvendi një rezolutë të qartë se shteti i Kosovës është i paprekshëm dhe nuk ka të drejtë as presidenti dhe askush tjetër të diskutojë për kufijtë e shtetit, por ne mbi të gjitha ne dëshirojmë të dërgojmë mesazh te ndërkombëtarët se shteti i Kosovës vendos sipas përfaqësuesve të vet, po ashtu edhe te banorët e Preshevës dhe Serbisë. Ne si LDK nuk jemi kundër dialogut, unë shpresoj që sot ose nesër të arrijë mençurinë e nevojshme për ta filluar këtë rezolutë për bisedimet me Beogradit por jo për shkëmbim territoresh. Kjo Qeveri është e marrë peng dhe nuk e di Haradinaj është zmbrapsur nga ideja jonë” , tha Hoti.

Këto deklarata  Hoti i dha në tryezën “Loja me Kufij: Luftë apo Zgjidhje në Ballkan?” do të diskutohet për qëndrimin e partive politike të Kosovës rreth kësaj ideje, koston e një opsioni të tillë për Kosovën si dhe të ardhmen e aseteve ekonomike e strategjike të Kosovës që gjenden matanë lumit Ibër.

Folës në tryezën e moderuar nga Jeta Xharra do të jenë:; Avdullah Hoti, shef i grupit parlamentar të LDK; Albin Kurti, kryetar i LVV, Shaip Kamberi, kryetar i Komunës së Bujanovcit; Fehmi Beja, kryetar i Komunës së Medvegjës; Nenad Rashiq, kryetar i PDP; Ahmet Isufi, nënkryetar i AAK-së, si dhe deputetë, ish-deputetë dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Gjatë tryezës do të emetohen video të shkurta të pikëpamjeve të analistëve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Europa e rajoni të dhëna ekskluzivisht për këtë tryezë. Tryeza diskutimi ‘Loja me Kufij: Luftë apo Zgjidhje në Ballkan”, organizohet nga Emisioni ‘Jeta në Kosovë’.