Ramush Haradinaj në DebatPernime. Foto: Atdhe Mulla

Haradinaj: LDK e Paqëndrueshme, Vetëvendosje Joserioze

“Më ka ardhë një ofertë e mirë. S’kam mujtë me thanë jo për me hy në një qeveri Haradinaj, nuk po ndihmoj një qeveri PDK por po punoj për një qeveri të përbashkët. Është një nderë që më ka bërë PDK-ja. LDK-ja u tregu e paqëndrueshme ndërsa VV joserioze”, tha Haradinaj.

I pyetur se çfarë lloj programi është duke përdorur koalicioni PDK-AAK-Nisma, pasi në debatin e kaluar u debatua se koalicioni PAN nuk përmbahet për një program por kanë programe të ndryshme.

“Programi ynë është i qartë i koalicionit parasheh investime në bujqësi një fokusim tek fermerët dhe ndryshime. Me siguri çdo parti ka njerëz me pikëpamje të caktuar por programet i kemi përputh. Në zbatim  mund ta rrisim edhe ma shumë buxhetin najherë”, tha ai.

Subjekti politik i Ramush Haradinajt në kohën kur ishte opozitë, kritikonte e akuzonte Partinë Demokratike të Kosovës me të cilën tani ka lidhur koalicion, ‘se kanë kapur shtetin’.

I pyetur si do t’ia bëj që ta çkapë shtetin, tha se do të marrë përgjegjësi konform ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës.

“Çdo kush që do të merr përgjegjësi do të punoj në bazë të normave etike morale, çdo kush që bjen ndesh me këto norma gjatë punës me siguri organet e ligjit kanë me u marr me të. E shoh një qasje ndryshe me ata që bashkëbisedoj me ta, që gjendja në vend nuk ka shku si duhet. E shoh një gatishmëri që me jau dhanë një shans, Kosovës një fillim të ri, e shoh këtë gatishmëri kam hyrë me këtë qëllim që të fillojmë një qeveri të re”, tha ai.

Ai përmendi se janë të sigurt se do ta kenë votën dhe besimin e qytetarëve.

“Nuk garojmë si parti garojmë si koalicion, kemi disa parti politike. Ne jemi bukur të sigurt që do të kemi besimin e qytetarëve me formu qeverinë. Nuk ka logjik me fol për një situatë pas zgjedhore jemi të vendosur që të plasojmë këtë logjik është një fillim i ri. Qytetarët duhet të vendosin, për atë po bëjmë thirrje tek qytetarët që të formojmë qeverinë. Çdo herë zgjedhjet e lira e fer i pranojmë”, tha Haradinaj.

#DebatPërnime në transmetimin e parë ka paraparë një debat mes kandidatëve për kryeministër Ramush Haradinajt, Albin Kurtit dhe Avdullah Hoti, por një gjë e tillë nuk ndodhi pasi që ishte Haradinaj ai që nuk dëshironte të debatonte me kandidatët kundërshtar.