Glauk Konjufca në Gjykatë

Policia solli me urdhëresë të gjykatës Kasim Ukajn, Fatmir Kurtajn, Pajtim Demajn e Flamur Arifajn.

Por sjellja e këtyre të katërve bashkë me Glauk Konjufcën, dhe ish-aktivistin e “Vetëvendosjes” Rron Gjinovci që edhe sot u paraqit në seancë si herave tjera, nuk mjaftoi që seanca të mbahej, pasi munguan edhe 21 persona trjerë të akuzuar.

Gjyqtari Vesel Ismajli për këto mungesa shtyu seancën, ndërsa bëri të ditur se do t’i kërkojë raport policisë se pse nuk janë sjellë në gjykatë edhe të akuzuarit tjerë.

Prokurori Fatmir Behrami, tregoi se Lulzim Xhaka, njëri nga të akuzuarit për dëmtimin e veturave të EULEX-it në vitin 2009, është arrestuar në protestën opozitare të 9 janarit, por Behrami nuk e dinte pse ai nuk është sjellë në gjykim nga policia.

Glauk Konjufca tha për KALLXO.com se “është njëlloj qëndrimi i ‘Vetëvendosjes’ që të mos u përgjigjet ftesave të gjykatave, pasi konsiderojnë se po përndiqen nga pushteti”.

Aktakuza lidhet me aksionin e Lëvizjes “Vetëvendosje” të 25 gushtit 2009, kur në parkingun e EULEX-it afër stadiumit të Prishtinës, grupi i të akuzuarve me mjete të ndryshme dëmtuan dhe kthyen përmbys makinat e Misionit Evropian për Sundimin e Ligjit.

Aktakuza u është ngritur ndaj Glauk Konjufcës, Xhelal Sveçlës, Besfort Berishës, Zgjim Hysenit, Lirim Gashit, Salih Zybës, Rron Gjinovcit, Salih Mehmetit, Naser Shatrit, Bujar Vocës, Kasim Ukës, Arbër Nuredinit, Fatmir Kurtajt, Asdren Pecit, Fatmir Hazirit, Ramadan Deliut, Faruk Dakajt, Frashër Krasniqit, Skënder Merturit, Pajtim Demajt, Flamur Arifajt, Kushtrim Zeqirit, Kujtim Kosumit, Dardan Molliqajt, Skender Blakajt, Blerim Maçastenes dhe Lulzim Xhakës.

Në dhjetor të vitit të kaluar KALLXO.com eraportoi për shtyrjen e pestë të këtij gjykimi.

http://kallxo.com/shtyhet-per-here-te-peste-seanca-e-vandalizimit-te-makinave-te-eulex-it/

11:02

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh deputet në Parlamentin e Kosovës, Glauk Konjufca, është dërguar sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ku bashkë me aktivistë të tjerë të partisë së tij do të gjykohen për ngjarjet e gushtit 2009 gjatë të cilave ishin dëmtuar disa automjete të EULEX-it.

Para gjykatës nënkryetarin e Vetëvendosjes e ka sjellë policia. Sipas fotografive të KALLXO.com, Konjufca shihet i ulur në rreshtin e parë të ulëseve në gjykatë dhe duket i buzëqeshur.

Glauk Konjufca është në mesin e 27 aktivistëve të Vetëndosjes ndaj të cilëve sot do të duhej të zhvillohej seancë gjyqësore.

Glauk JKonjufca aktualisht ndodhet në arrest shtëpiak si i dyshuar për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

http://kallxo.com/glauk-konjufca-e-aida-derguti-prape-ne-arrest-shtepiak/

Pak më herët, KALLXO.com ka raportuar se policia është vënë në kërkim të zyrtarit tjetër të Vetëvendosjes, Xhelal Sveçla, dhe të disa aktivistëve të tjerë, me qëllim që t’i dërgojë para gjykatës.

http://kallxo.com/policia-kerkon-xhelal-sveclen-per-veturat-e-eulex-it/

Policia nuk e ka gjetur Xhelal Sveçlën, i cili është drejtor i Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, as në shtëpinë e tij, as në vendin e punës.