Sevdai Radogoshi - Qumili

Gjykata e detyron ‘Qumilin’ ta heqë videon me përmbajtje fyese ndaj KALLXO.com

Gjykata e Gjakovës me aktvendimin e datës 10 maj 2019 ka urdhëruar aktorin Sevdai Radogoshi i njohur në publik si “Qumili”, ta largojë nga faqja e tij në Facebook një video të publikuar me datë 10 prill 2019.

Sipas vendimit të kësaj Gjykate thuhet se pa caktim të masës së sigurisë ka rrezik se KALLXO.com do të mund të pësonte dëm të pariparueshëm të reputacionit.

KALLXO.com pretendon se Sevdai Radogoshi përmes një video xhirimi të publikuar në faqen e tij në Facebook, ka bërë shpifje dhe fyerje ndaj portalit KALLXO.com.

Si rezultat i publikimit të kësaj video, KALLXO.com i ka kërkuar Gjykatës së Gjakovës caktimin e masës së sigurisë ndaj video xhirimit të publikuar nga ana e Sevdai Radogoshit.

Në kërkesën për caktimin e masës së sigurisë për këtë video xhirim, KALLXO.com pretendon se përmbajtja fyese e përhapur nga Sevdai Radogoshi cenon rëndë kredibilitetin e platformës KALLXO.com të krijuar që nga viti 2012.

Sipas KALLXO.com video xhirimi i publikuar nga Sevdai Radogoshi bënë thirrje për linçim të kësaj platforme.

“Disa portale me në krye KALLXO.com, janë duke i bërë gjaqet”, dëgjohet të thotë Sevdai Radogoshi përmes kësaj videoje.

Ekzistimin dhe shpërndarjen e mëtutjeshme të këtij materiali audio vizuel, KALLXO.com e ka konsideruar si dëm të pa riparueshëm për këtë platformë.

Në seancën e dëgjimore të 7 majit, përfaqësuesi i KALLXO.com Arbër Kadriu ka deklaruar se video kontestuese ishte bërë vetëm pas raportimeve të platformës KALLXO.com nga rasti gjyqësor në të cilin rast Sevdai Radogoshi ishte i akuzuar për një vepër penale.

Përmes shkrimeve të publikuara nga KALLXO.com, ishte raportuar se si Gjykatat e shkallës së parë dhe të dytë e kishin shpallur fajtor përkatësisht e kishin vërtetuar fajësinë e Sevdai Radogoshit, të cilit Gjykata i ka shqiptuar dënim me gjobë në vlerë 500 euro.

Sevdai Radogoshin Gjykata e kishte shpallur fajtor për ushtrim dhune ndaj motrës së tij.

https://kallxo.com/denohet-sevdai-radogoshi-qumili-per-rrahjen-e-motres/

https://kallxo.com/apeli-vertetoi-se-qumili-e-rrahu-motren/

Ndërsa sipas përfaqësuesit të KALLXO.com, Arbër Kadriu, vetëm pak ditë pas shkrimeve të publikuara në KALLXO.com, Sevdai Radogoshi me qëllim të fyerjes dhe përhapjes së fyerjes ndaj platformës KALLXO.com ishte veshur në ‘rolin e tij’ kinse për t`i ikur përgjegjësisë, por që sipas Kadriut qëllimi kishte qenë personal e jo humoristik.

Mbi këtë bazë platforma KALLXO.com i kishte kërkuar Gjykatës vendosjen e masës së sigurisë ndaj videos në fjalë, në atë mënyrë që të detyrohej Sevdai Radogoshi që ta largojë nga faqja e tij në Facebook videon e lartpërmendur.

Kurse përfaqësuesi i Sevdai Radogoshit, avokati Afrim Radoniqi, në seancën dëgjimore kishte deklaruar se  klienti i tij Sevdai Radogoshi video incizimin  e kishte publikuar në faqen e tij në Facebook, i veshur në rolin humoristik të njohur për publikun si “Qumili”.

Sipas avokatit Afrim Radoniqi i gjithë materiali/video përmban sekuenca humoristike duke shtuar se rolin e “Qumilit” askush nuk mund ta marrë seriozisht.

Por, Gjykata e Gjakovës pas analizimit të provave materiale dhe dëgjimit të palëve ka ardhur në përfundim se propozimi i platformës KALLXO.com për caktimin e masës së sigurisë është i bazuar prandaj duke vendosur sipas këtij propozimi e ka urdhëruar Sevdai Radogoshin që ta largojë nga faqja e tij në Facebook videon kontestuese.