FSK ka eliminuar rrezikun nga orteqet e borës në Brezovicë
Në një lartësi mbidetare mbi 2.230 metra dhe mot të keq, ekipet e Kërkim-Shpëtimit dhe Deminimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, kanë realizuar me sukses misionin për largimin e ortekëve të borës.
Pas vlerësimit të situatës nga ekipet e Kërkim-Shpëtimit të FSK-së, ekipet e Deminimit, me gjithë kushtet e vështira, kanë filluar punën më 2 shkurt për largimin e ortekëve të rrezikshëm të borës në kompleksin turistik në Brezovicë.
Ata shkatërruan ortekun e parë me eksploziv, i cili paraqiste rrezik të madh për krijimin e një orteku edhe më të madh dhe shumë të rrezikshëm për qytetarët.
Për shkak të motit të vështirë dhe erërave të forta deri në 60km/h, operacioni është dashur të ndërpritet, për të vazhduar më 4 shkurt, me ç‘rast është larguar edhe orteku i dytë.
Sipas vlerësimeve për momentin nuk ka rrezik potencial për lëvizje të ortekëve, mirëpo duke u bazuar në kushtet atmosferike, të cilat mbretërojnë në këtë pjesë mund të krijohen ortekë të cilët mund të paraqesin rrezik për jetën e qytetarëve, thuhet në komunikatën e FSK-së.
Ndryshe, si pasojë e ortekut të borës kohë më parë në Brezovicë humbi jetën zëvendësministri i Diasporës, Arian Daci.