Deputetja fton familjen Daci t’i refuzojë paratë e Qeverisë

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka kërkuar që familja e Nexhat Dacit t’i refuzojë 15 mijë euro, të cilat i ndau sot Qeveria me rastin e vdekjes së zëvendësministrit të Diasporës, Arian Daci.

Pacolli përmes një postimi në “Facebook” thotë se shteti duhet t’u ndihmojë familjeve që jetojnë në kushte të vështira, duke shtuar se “Kosova nuk është shtet i së drejtës e as shtet social”.

“Shumë punëtorë për të siguruar bukën për familjet e tyre kanë humbur jetën në vendet e tyre të punës ku punonin pa asnjë masë sigurie. Shumë prej tyre kanë lënë prapa fëmijë pa përkujdesje e në kushte të rënda sociale. Shteti nuk ndau asgjë për ta”, ka shkruar deputetja.

https://kallxo.com/qeveria-15-mije-euro-per-familjen-e-arian-dacit/?fbclid=IwAR2Eu7sA6UOSGQh4fPqzp2CwL-anyeyLip7arscpkNPTjHQ9H7k3s_eFTY0

Sipas saj, vdekja e Arianit është humbje e madhe për familjen Daci por paratë nuk e lehtësojnë dhimbjen e tyre dhe nuk ka nevojë për to.

“Shumë familje detyrohen të kërkojnë nga të afërmit e qytetarët që sado që munden t’i ndihmojnë për të paguar shërimin e fëmijëve të tyre. Shumë kërkesa bëhen në sheshe të qyteteve, radio, rrjete sociale e televizione. Shteti nuk është askund. Shteti nuk i ndihmon këto familje”, thuhet në postimin e deputetes së VV-së, Fitore Pacolli.

Zëvendësministri i Diasporës, Arian Daci ka vdekur tragjikisht nga orteku i borës në Brezovicë.

Arian Daci ishte i biri i kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Nexhat Dacit.