Ndertesa e Gjykates Themelore ne Mitrovice - Foto Atdhe Mulla

E Akuzuara për Përvetësim në Detyrë Deklarohet e Pafajshme

Sanja Radojeviq, e cila po akuzohet për veprën penale përvetësim në detyrë është deklaruar e pafajshme para trupit gjykues, në seancën e mbajtur në Gjykatën Themelore të Mitrovicës.

Sipas aktakuzës Radojeviq këtë vepër e ka kryer gjatë periudhës kohore 2005 – 2006, duke e dëmtuar kompaninë në vlerë prej 5.263.55 euro.

Prokurori Rexha në fjalën e tij hyrëse deklaroi se nga provat në aktakuzë si dhe nga dëshmia e dëshmitarit Abit Avdiu, do të vërtetohet se e akuzuara e ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet.

Ndërsa mbrojtja e të akuzuarës Sanja Radojeviq, avokatja Fatmire Braha, tha se gjatë shqyrtimit gjyqësor do të vërtetohet pafajësia e të mbrojturës së saj.

Braha gjithashtu shtoi se qysh nga fillimi i rastit, të gjitha veprimet e ndërmarra kanë shkuar në drejtim të dy veprave të tjera penale, ajo e shpërdorimit dhe falsifikim i dokumenteve, kurse aktakuza e ngritur në qershor të vitit 2011, mbi pesë vite nga koha kur sipas prokurorisë ka ndodhur rasti, të mbrojturën e saj e ngarkon për një vepër tjetër penale, atë të përvetësimit në detyrë.

Avokatja Braha deklaroi  se si mbrojtje konsideron se për këtë vepër ka arritur afati i parashkrimit.

Në seancë u dëgjua dëshmitari Abit Avdiu, i cili më parë kishte punuar në ish-kompaninë e sigurimeve “Dukagjini” në Mitrovicë.

Avdiu, gjatë dëshmisë së tij, deklaroi se të akuzuarën nuk e kishte njohur personalisht, por e kishte parë emrin e saj në kompani.

Ai po ashtu shtoi se nga drejtori i atëhershëm, Riza Byci, ishte njoftuar se është një agjent në veri që shet polica të sigurimit, por se ai nuk e kishte ditur për kënd bëhej fjalë.

Pas dëshmisë së dëshmitarit mbrojtësja e të akuzuarës, avokatja Fatmire Braha deklaroi se meqenëse dëshmitari kishte thënë se nuk e kishte njohur të akuzuarën, ajo nuk kishte asgjë të shtonte në lidhje me marrjen në pyetje të dëshmitarit.

Prokurori Njazi Rexha përveç këtij dëshmitari propozoi që si dëshmitar për seancën e radhës të ftohet Riza Byci, drejtor i atëhershëm i kompanisë se sigurimeve “Dukagjini”.

Ky propozim u aprovua nga ana e trupit gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Beqir Halili.

Sipas aktakuzës Sanja Radojeviq në periudhës kohore janar 2005 deri më 31 dhjetor 2006, duke ushtruar detyrën zyrtare – agjente pranë zyrës së sigurimeve ne ish-kompaninë e sigurimeve “Dukagjini”, ka përvetësuar detyrën zyrtare duke i sjellë vetës dobi pasurore përmes shitjes së policave nga autopërgjegjësia e sigurimeve në emër të llogarisë së kompanisë.

Ndërsa nga mjetet e fituara nga shitja e policave në mënyrë simbolike një pjesë i kishte derdhur në llogarinë e kompanisë, ndërsa pjesën më të madhe i kishte derdhur në llogarinë e vetë bankare.

Seanca e radhës për këtë rast është caktuar për datën 15 shkurt.