Vetura e djegur - Foto e dërguar në KALLXO.com nga një qytetar

Digjet një Veturë e Qendrës për Punë Sociale

Një veturë është shkrumbuar nga flaka që e ka përfshirë teksa ishte duke udhëtuar në magjistralen Gjilan-Bujanoc, më saktësisht në fshatin Petrit.

Një qytetar ka dërguar disa foto në KALLXO.com, e në të cilat shihet vetura e djegur tërësisht.

Sipas qytetarit, kjo ngjarje ka ndodhur sot rreth orës 14:30.

KALLXO.com ka kontaktuar zëdhënësin e Policisë së Rajonit të Gjilanit, Ismet Hashanin, i cili e ka konfirmuar rastin.

Sipas zëdhënësit, shkaku i zjarrit ka qenë një defekt i makinës.

“Incidenti ka ndodhur sot në orën 14:30. Policia ka marrë informacion se një veturë është djegur në rrugën magjistrale Gjilan-Bujanoc. Dyshohet se shkaku i zjarrit është një defekt në makinë dhe se nuk bëhet fjalë për zjarrvënie të qëllimshme. Vetura e djegur është pronë e Qendrës për Punë Sociale të Ranillugut”, tha Hashani.

Zëdhënësi i Policisë tregoi se të lënduar në këtë incident nuk ka ndërsa njësitet përkatëse janë duke vazhduar hetimet.