"Security Code" reagon ndaj deklaratave të kryeministrit Kurti, paralajmëron ndjekjen e rrugëve ligjore për të mbrojtur imazhin

Kompania e sigurimeve “SECURITY CODE” SH.P.K. ka reaguar ndaj deklaratës së sotme të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili ka komentuar lidhur me rastin ku dy herë brenda më pak se tre muajve, drejtorit të Njësisë së Auditimit të Brendshëm të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Koosvës, Musa Vitija, iu dogj vetura.

Për këtë shefi i ekzekutivit ka thënë se “Dy kompanitë, “Security Code”, përgjegjëse për sigurimin fizik dhe “Quantic”, përgjegjëse për mbikëqyrjen e kamerave kanë dështuar në kryerjen e punës së tyre”.

Kompania “Security Code” ka reaguar duke thënë se janë shqetësuar nga kjo deklaratë e kryeministrit dhe se është duke u konsultuar me avokatët për të ndjekur rrugët ligjore për ta mbrojtur imazhin e kompanisë, për të mbrojtur punëtorët dhe investimet.

“Të shqetësuar nga kjo deklaratë e kryeministrit, kompania jonë është duke u konsultuar me avokatët për të ndjekur rrugët ligjore për ta mbrojtur imazhin e kompanisë, për të mbrojtur punëtorët, investimet, mundin e sakrificën e të gjithë neve që kemi kontribuar që të kemi një biznes i cili përveç që kontribon me taksat e shtetit, siguron mbajtjen e familjeve të mbi 500 punëtorëve” – thuhet në reagim.

Kjo kompani ka thënë se se janë të befasuar dhe të zhgënjyer me reagimin e kryeministrit Albin Kurti rreth rastit të djegies së një veture në oborrin e QKUK-së dhe se kryeministri po bën një konkluzion pa u zbardhur rasti.

“Nuk e kuptojmë këtë absurditet të kryeministrit të Republikës së Kosovës Albin Kurti, i cili lëshohet në komente për një rast të djegies së një veture në oborrin e QKUK-së. E dyta, se si vjen në një konkluzion të tillë pa u përfunduar hetimet dhe pa u zbardhur dhe rrethanat e këtij rasti” – thuhet në reagimin e kompanisë.

Sipas tyre, kjo kompani nuk ka obligime për të ruajtur specifikisht vetura të individëve.

“E treta, si mund të fajësohet një kompani e sigurimeve fizike për një rast të djegies së një veture kur ne nuk kemi obligime që të ruajmë specifikisht vetura të individëve. Edhe po deshtëm nuk ka mundësi teknike as operative të ruhet dhe sigurohet specifikisht secila veturë që futet brenda hapësirave të QKUK-së” – ka theksuar kompania, duke shtuar se janë rreth 3,000 deri në 5,000 vetura që hyjnë brenda dite në hapësirat e QKUK-së.

“Kryeministri e din mirë se asnjë organ shtetëror e privat nuk mund të ofroj roje dhe siguri për secilën veturë dhe qytetar që qarkullon në një hapësirë prej 52 hektarësh sa është hapësira brenda QKUK-së dhe e cila hapësirë është publike  Ne sipas kontratës ofrojmë siguri të rendit dhe mbarëvajtjes në hyrje dhe dalje të klinikave. Ofrojmë intervenim kur njoftohemi apo paraqitet ndonjë rast i momentit të ndonjë sulmi të personelit të QKUK-së dhe në këtë rast menjëherë njoftohet Policia e Kosovës” – ka thënë “Security Code” duke shtuar se kjo kompani nuk i menaxhon hyrje-daljet në portat kryesore dhe as kamerat e sigurisë.

“Madje as hyrje daljet në portat kryesore nuk i menaxhon kompania jonë, po ashtu as kamerat e sigurisë nuk menaxhohen nga kompania jonë. Pra nuk është në mandatin tonë kontraktual të ofrojmë mbrojtje të afërt të personave dhe as siguri specifike për veturat e personalit. Sikurse as nuk bëjmë kontrolle të qytetarëve qe hyjnë e dalin nga QKUK” – thuhet në reagim.

“E katërta, kryeministri i vendit e din mirë se ne nuk jemi organizatë politike por kompani private që i paguajmë taksa shtetit dhe kemi te punësuar mbi 500 persona. Ne operojmë sipas rregullave, kompetencave dhe obligimeve kontraktuale dhe ligjore, me palët dhe në këtë rast me QKUK-në” – është thënë tutje.

Në vijim, kjo kompani ka thënë se kryeministri po kërkon hakmarrje politike në një adresë të gabuar.

“Duke marr parasysh të gjitha këto, absurditetin e kësaj deklarate, nuk kemi se si të mendojmë ndryshe përveç që kryeministri i shtetit po kërkon hakmarrje politike në një adresë të gabuar. Në institucionet e shtetit, zyrën e regjistrimit te Bizneseve, ATK dhe MPB janë emrat dhe mbiemrat në pronësi të kujt është kompania. Prandaj është edhe e dëmshme që nga pozita e kujt do qoftë në krye të shtetit të pretendohet ose supozohet se emri i një kompanie të lidhet me emra të përveçshëm të personave politik”.

Më 7 tetor Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) kishte njoftuar se i është djegur vetura drejtorit të Njësisë së Auditimit të Brendshëm të SHSKUK-së, Musa Vitija.

SHSKUK kishte thënë se rasti ka ndodhur derisa po mbahej mbledhja e bordit drejtues të SHSKUK-së, ku ishte duke raportuar Vitija.