Foto: Eroll Rexhepi, Facebook

Pejë, një hoxhë publikon pamjet kur një person i maskuar ia djeg veturën

Një hoxhë nga Peja me emrin Eroll Rexhepi ka publikuar në rrjetin social Facebook një video në të cilën shihet një person i maskuar duke ia vënë zjarrin veturës së tij.

Sipas Rexhepit, ngjarja ka ndodhur sot rreth orës 03:00 të mëngjesit, ndërsa ka bërë të ditur se përveç dëmit material, nga zjarri nuk ka pasur të lënduar.

Për KALLXO.com Rexhepi ka thënë se pret nga organet e rendit ta zbardhin rastin.

“Kanë filluar hetimet, unë kam dhënë deklaratën time në Policinë e Kosovës dhe tash për më shumë presim nga organet e rendit” – ka thënë Rexhepi.

Në ndërkohë, Policia e Kosovës e ka konfirmuar rastin dhe ka bërë të ditur se është duke e hetuar.

“Policia rreth orës 03:45 është informuar se në rrugën ‘Rozafa’ në Pejë, një veturë është përfshirë nga zjarri. Rasti është duke u hetuar nga Policia dhe është cilësuar si “Zjarrvënie”’ – ka thënë Driton Rugova nga Policia e Kosovës për KALLXO.com.

Foto: Eroll Rexhepi, Facebook
Foto: Eroll Rexhepi, Facebook