Dëshmojnë të Dëmtuarit nga Shitja nën Vlerë e Pronës

Në këtë seancë kanë dëshmuar të dëmtuarit Millorad Simianoviq, Vesna Simianoviq dhe Millka Simianoviq.

Ata e kishin shitur pronën prej 15 arësh e 56 metrash katrorë, ndërsa kishin marrë më pak se gjysmën e mjeteve që kishin planifikuar të fitonin nga kjo shitje.

Në dëshminë e tij Millorad Simianoviq tregoi se është kthyer në Kosovë për herë të parë pas vitit 1999.

Ai tha në gjykatë se bashkë me vëllanë e ndjerë kishin autorizuar gruan e tij Millka Simianoviq për shitjen e pronës së përbashkët, duke përcaktuar shumën për një ar në vlerën e 30 mijë eurove.

Dëshmitari tregoi se bashkëshortja e kishte thirrur në telefon dhe i kishte treguar se kishte gjetur një blerës, por që i njëjti do të kthehej shumë shpejt në Zvicër dhe shitblerja duhej të kryhej shumë shpejt.

Dëshmitari  bëri të ditur se në kontratën për shitblerjen e kësaj parcele në Lipjan figuron shuma 180.000.00 euro, ndërsa vlera reale e saj ishte 466.000.00 euro, shumë e cila do të paguhej në para të gatshme në mënyrë që sipas Simianoviqit t’i iket pagesës së tatimit.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit, Simianoviq tha se për  kontratën e  lidhur ishte vënë në dijeni vetëm kur ishte takuar me bashkëshorten e tij në pikën kufitare në Merdare.

Bashkëshortja tha se i ka treguar se është mashtruar dhe se blerësi nuk i ka paguar të gjitha paratë. Gjithashtu dëshmitari tha se vëllai i tij tani i ndjerë kishte paraqitur rastin e mashtrimit në policinë e Banjës në Nish, pastaj bashkëshortja e tij e kishte paraqitur rastin në Policinë e Lipjanit.

Avokati Fehmi Shala mbrojtësi i të akuzuarit Rasim Llugiqi e pyeti dëshmitarin se si është e mundur që paratë e transferuara nga i akuzuari Llugiqi në llogari të Millka Simianoviqit të kthehen prapë në llogari të Llugiqit?

Dëshmitari u përgjigj  se ato para asnjëherë nuk ishin kthyer prapa në llogarinë e të akuzuarit, nga bashkëshortja e tij Millka.

Dëshmitare e radhës ishte Vesna Simianoviq, e cila para gjyqtarit tha se deri në vitin 1999 së bashku me familjen e saj kishin jetuar në atë parcelë ku kishin pasur edhe shtëpinë, ndërsa tani si familje ndihen të mashtruar me rastin e shitjes së saj.

Edhe dëshmitarja tha se bashkëshorti i saj i ndjerë së bashku me kunatin e saj Millorad Simianoviq i kishin dhënë autorizim kunatës Millka Simianoviq për shitblerjen e pronës së familjes në Lipjan. Dëshmitarja tregoi se në maj 2009 ishin takuar në Merdare ajo dhe bashkëshorti i saj si dhe  kunati Milloradi dhe kunata e saj Millka, ku kishin biseduar për çmim të pronës dhe mënyrën e pagesës. Po ashtu edhe kjo tha se çmimi ishte vendosur të jetë 30.000 euro për një ar.

Dëshminë e filloi edhe  Millka Simianoviq e cila tha se të akuzuarin Rasim Llugiqi e kishte njohur  përmes hallës së saj  që i kishte propozuar që pronën t’ia shiste atij.

Seanca përfundoi për shkak të kryerjes së orarit të punës, edhe pse Millka Simianoviq nuk e kreu dëshminë.

Ajo do të dëshmojë edhe sot në gjykatën e Lipjanit.

I akuzuari ishte dënuar nga gjykata në Lipjan me një  vit burg për mashtrim. Këtë e kishte vërtetuar edhe Gjykata e Apelit por në rigjykim dënimin e Llugiqit e kishte kthyer Gjykata Supreme  që kishte sjellë aktvendimin sipas kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë  nga avokati i të akuzuarit.

Ish-Prokuroria Komunale në Prishtinë  kishte ngritur aktakuzë me të cilën të  akuzuarin Rasim Llugiqi e ngarkonte se ka kryer veprën penale të mashtrimit.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, i akuzuari Rasim Llugiqi më 12 .maj 2009 në Gjykatën Komunale në Lipjan, me qëllim që vetes t’i sjellë dobi të kundërligjshme pasurore, e kishte sjellë në lajthim dhe e kishte shtyrë të veprojë në dëm të pasurisë së saj të dëmtuarën Millka Simianoviq.

Me rastin e përpilimit të kontratës së shitblerjes për 15.56 arë, ishte paraqitur shuma prej 180.000.00 eurove, me arsyetimin të tatimit më të ulët, ndërsa paraprakisht ishin marrë vesh që vlera e shitblerjes të ishte 460.000.00 euro.