Foto: Ilustrim

Dëshmi: Pasi i preu kërthizën nëna nga Prizreni e braktisi foshnjën në tavan

Gjykata e Prizrenit ka caktuar sot masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji ndaj të pandehurës M.B. nga Prizreni, e cila dyshohet se ka vrarë foshnjën gjatë lindjes.

Sipas njoftimit të Gjykatës, masa e paraburgimit do të  llogaritet prej datës së arrestimit 26 prill deri më 26 maj.

Sipas pretendimeve të Prokurorisë së Prizrenit, e pandehura më 20 prill rreth orës 21:00, në Prizren, në shtëpinë e saj familjare, në dhomën e saj, pa dijeninë dhe ndihmën e askujt nga familjaret lind të gjallë foshnjën e gjinisë mashkullore.

Pas lindjes, ajo i pret kërthizën foshnjës e më pas e mbështjell me xhemper dhe e çon në tavanin e shtëpisë, ku e lë pa i treguar askujt.

Pas zbulimit nga familjarët më 26 prill rreth orës 22:00, rasti është raportuar në Polici.