Kryeprokurori i Prizrenit: Foshnja e vdekur u gjet në tavanin e shtëpisë

Mëngjesin e sotëm , Policia e Rajonit të Prizrenit ka njoftuar se një grua është arrestuar nën dyshimin se ka vrarë foshnjën e saj të porsalindur.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me kryeprokurorin e Prokurorisë së Prizrenit, Admir Shala.

Kryeprokurori Shala tha se e dyshuara ishte e pamartuar ndërsa foshnjën e kishte lindur rreth një javë më parë.

“Bëhet fjalë për një të dyshuar vajzë/grua e cila është rreth 27 vjeç e pamartuar, ka lindur foshnjën e saj në shtëpi para 6-7 dite. Foshnja ka vdekur dhe anëtarët e familjes e kanë vërejtur dhe kanë lajmëruar policinë, policia ka shkuar e ka gjetur foshnjën në tavan të shtëpisë”, tha Shala.

Ai shtoi se foshnja është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa gruaja është dërguar për disa kontrolle mjekësore e më pas me urdhër të prokurorit të rastit, është dërguar në ndalim për 48 orë.

Gruaja po dyshohet për veprën penale të vrasjes, tregoi tutje kryeprokurori Shala.

https://kallxo.com/prizren-nena-dyshohet-se-mbyti-foshnjen-e-porsalindur/

.