Deputetja serbe, Marija Janjusheviq - Foto: RTK

Deputetja serbe: Vuçiq do ta njohë pavarësinë e Kosovës?

Kuvendi i Serbisë ka debatuar sot edhe për Kosovën.

Kështu, deputeti serb nga radhët e lëvizjes ”Serbia e Re”, Gjorgje Vukadinoviq, parashtroi pyetje ndaj Ministrisë së Jashtme dhe sekretariatit të Presidencës, nëse janë në dijeni me qëndrimin e Moskës zyrtare lidhur me ”marrëveshjen gjithëpërfshirëse në mes të Kosovës e Serbisë”.

”Ata na kanë dërguar mesazhin se qëndrimi i tyre për çështjen e Kosovës është parimor, që nënkupton se bisedimet duhet të mbahen në bazë të Rezolutës 1244”, deklaroi Vukadinoviq për mediat serbe.

Ndërsa deputeti tjetër i Parlamentit të Serbisë, nga radhët e Partisë Popullore, Mirosllav Aleksiq, shtroi pyetje për kryetaren e Kuvendit, Maja Gojkoviq, nëse është paraparë seancë për të debatuar për Kosovën dhe, nëse po, kur do të jetë data e mbajtjes së asaj seance, në mënyrë që opinioni publik të njoftohet me atë se çfarë po bisedohet në Bruksel, si dhe cilat janë planet e kryetarit të Serbisë për Kosovën, transmeton RTK.

”Deri më tani, ne, deputetët e këtij Kuvendi nuk kemi marrë asnjë përgjigje zyrtare për këto nisma”, deklaroi Aleksiq.

Ai kujtoi se “në periudhën e mëparshme, Kosovës iu caktua prefiksi telefonik, pastaj u krijuan pikat e kalimit kufitar, ndërkohë u vra Oliver Ivanoviq”.

Ndërkohë ky deputet kujtoi gjithashtu deklarimet e Vuçiqit, i cili kishte thënë se “bisedimet nuk do të rifillojnë derisa të zbulohet një person i cili vrau Oliver Ivanoviqin”, ndërsa tani negociatat po rifillojnë dhe nuk dihet se kush ka marrë pjesë në vrasje”.

Marija Janjusheviq nga “Dveri” pyeti nëse është e vërtetë që Komiteti i Punëve të Jashtme të Bashkimit Europian po përgatit një dokument mbi bashkëpunimin midis Serbisë dhe të Kosovës me të cilin Serbia do ta njohë pavarësinë e Kosovës, dhe nëse është e vërtetë që Vuçiq ka pranuar që në vitin 2014.

Ajo quajti qyqarllëk veprimin e Vuçiqit, i cili “përmes referendumit dëshiron të transferojë përgjegjësinë e tradhtisë te qytetarët”./RTK