Gordana Tadiq, Foto; BIRN

Bosnjë, për herë të parë një grua emërohet kryeprokurore e shtetit

Mbikëqyrësi i sistemit gjyqësor të Bosnjës dhe Hercegovinës, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial, HJPC, zgjodhi të mërkurën Gordana Tadiqin si kryeprokuroren e re të shtetit për një mandat gjashtëvjeçar.

Tadiq ka drejtuar prokurorinë boshnjake për dy vjet e gjysmë që nga pezullimi i ish-kryeprokurorit Goran Salihoviq, i cili aktualisht po gjykohet për korrupsion.

Duke prezantuar platformën e saj, Tadiq propozoi që departamentet e prokurorisë shtetërore për krimin e organizuar dhe korrupsionin të shkrihen.

“Ne do t’i bashkojmë këto dy departamente për të rritur efikasitetin dhe punën e prokurorisë, sepse ata trajtojnë raste të ngjashme. Ne kemi një numër të madh rastesh që lidhen me trafikimin e qenieve njerëzore dhe emigracionin e paligjshëm. Ne po planifikojmë të krijojmë një seksion për luftimin e trafikimit të qenieve njerëzore dhe emigracionit të paligjshëm”, tha ajo.

Sa i përket ndjekjes penale të krimeve të luftës, Tadiq tha se ajo planifikonte të vazhdonte të punonte me rastet më komplekse dhe t’i referojë ato më pak komplekse në prokuroritë në nivel entiteti.

Ajo tha gjithashtu se po planifikonte të përmirësonte bashkëpunimin rajonal dhe të vazhdonte bashkëpunimin me prokurorin e Hagës Serge Brammertz.

Kryetari i HJPC-së Milan Tegeltija tha se pesë kandidatë ishin intervistuar dhe Tadiq u gjykua si më e mira për shkak të rezultateve që ajo ka arritur gjatë dy viteve e gjysmë të fundit.

Tegeltija tha se Tadiq duhet të kishte bërë më shumë për korrupsionin, por tha se një zhvillim pozitiv ishte i dukshëm në fushën e krimeve të luftës, ku “raste që ishin trajtuar për vite me radhë tashmë ishin zgjidhur”.

Nënkryetari i HJPC-së, Ruzica Jukiq, tha se Tadiq kishte përvojën më të gjatë prokuroriale, gjë që e bëri atë kandidaten më kompetente.

Jukiq e quajti Tadiqin “një njeri shumë i ndershëm” dhe sugjeroi se si kryeprokurorja e parë femër e Bosnjës dhe Hercegovinës, ajo “do të kthejë besimin te sistemi gjyqësor”.

Megjithatë Goran Neziroviq, një gjykatës në Gjykatën e Lartë në entitetin e Federatës, tha se Tadiq nuk arriti të prezantonte masa dhe programe konkrete.

“As nuk i dha as përgjigje pyetjeve të mia”, tha ai.

Që kur prokuroria shtetërore e Bosnjës u krijua në fillim, asnjë nga kryeprokurorët e saj nuk e ka mbajtur postin e tij deri në fund të mandatit të tyre gjashtëvjeçar.

Paraardhësi i Tadiqit, Salihoviqi, u pezullua për shkak të veprimeve disiplinore dhe një hetimi penal për akuzat se kishte keqpërdorur kompetencat e tij duke u siguruar që hetimet për kreun serb të Bosnjës Milorad Dodik të ndaleshin.